Dhjata e Re

Veprat 15:3-14 Së Bashku (ALNT)

3. Kisha i përcolli dhe u dha çfarë u nevojitej për udhëtim. Kur kaluan nëpër Fenikë e Samari, kudo ku shkonin, tregonin për kthimin në besim të kombeve pagane. Të gjithë vëllezërit besimtarë u gëzuan shumë.

4. Kur arritën në Jerusalem, kisha, apostujt dhe pleqtë i mirëpritën. Ata u treguan gjithçka që kishte bërë Perëndia përmes tyre.

5. Atëherë disa nga ata që i përkisnin sektit të farisenjve e që kishin besuar në Jezuin, u ngritën e thanë: «Paganët e kthyer në besim duhet të rrethpriten dhe të urdhërohen të zbatojnë ligjin e Moisiut».

6. Apostujt e pleqtë u mblodhën për ta shqyrtuar këtë çështje.

7. Pas një diskutimi të gjatë, Pjetri u ngrit e u tha:«Vëllezër, ju e dini se para disa kohësh, mes nesh, Perëndia më zgjodhi mua që nëpërmjet meje kombet pagane të dëgjojnë fjalën e ungjillit e të besojnë.

8. Perëndia që i njeh zemrat e njerëzve dëshmoi se i pranon ata duke u dhënë Shpirtin e Shenjtë, ashtu siç na e dha edhe neve.

9. Ai i pastroi zemrat e paganëve me anë të besimit dhe kështu nuk bëri asnjë dallim ndërmjet nesh dhe atyre.

10. Tani, pra, pse po e vini në provë Perëndinë duke u vënë dishepujve në qafë një zgjedhë që nuk e kanë mbartur dot as etërit tanë e as ne?

11. Përkundrazi, ne besojmë se do të shpëtohemi përmes hirit të Zotit Jezu, sikurse do të shpëtohen edhe ata».

12. Ata heshtën të gjithë dhe dëgjonin Barnabën e Palin, që tregonin për të gjitha mrekullitë e shenjat që Perëndia kishte bërë përmes tyre mes kombeve pagane.

13. Pasi mbaruan së foluri këta, Jakobi tha:«Vëllezër, më dëgjoni.

14. Simon Pjetri na tregoi sesi për herë të parë Perëndia u përkujdes për të bërë nga paganët një popull që t’i përkasë atij.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 15