Dhjata e Re

Veprat 15:15-30 Së Bashku (ALNT)

15. Kjo përkon me fjalët e profetëve, sikurse thotë Shkrimi i shenjtë:

16. Pas këtyre gjërave, unë do të kthehem e do ta ringre tendën e Davidit, që është rrëzuar. Do ta ringre nga rrënojat e saj e do ta lartësoj sërish,

17. kështu që të gjithë njerëzit e tjerë të mund ta kërkojnë Zotin e po ashtu edhe të gjithë paganët që janë bërë populli im. Kështu thotë Zoti që i bën këto gjëra

18. të njohura që nga amshimi.

19. Prandaj mendoj se nuk duhet t’u vëmë barrë paganëve që kthehen te Perëndia,

20. por duhet t’u shkruajmë që të heqin dorë nga mishi i ndotur që i është flijuar idhujve, nga kurvëria, nga ngrënia e kafshëve të mbytura e nga pirja e gjakut.

21. Urdhërimet e Moisiut njihen mirë, sepse që nga kohët e shkuara, janë lexuar çdo të shtunë nga ata që i kanë predikuar në sinagogat e çdo qyteti».

22. Atëherë apostujt dhe pleqtë, me pëlqimin e të gjithë kishës, menduan të zgjidhnin disa prej tyre për t’i dërguar në Antioki me Palin e Barnabën. Këta ishin Juda, që e quanin Barsabë, dhe Sila, njerëz me rëndësi ndër vëllezërit besimtarë.

23. Ata shkruan me dorën e tyre:«Vëllezërit apostuj dhe pleqtë e kishës, u shkruajnë vëllezërve besimtarë që vijnë nga kombet pagane e që janë në Antioki, në Siri e në Kiliki: përshëndetje!

24. Meqë kemi dëgjuar se disa që kanë dalë prej nesh, por që nuk janë dërguar nga ne, ju kanë trazuar me fjalë që pështjellojnë shpirtin,

25. kemi vendosur me një mendje që të zgjedhim disa njerëz e t’i dërgojmë te ju së bashku me fort të dashurit tanë Barnabën e Palin,

26. që kanë vënë jetën e tyre në rrezik për emrin e Zotit tonë Jezu Krisht.

27. Kemi dërguar Judën e Silën, që do t’jua tregojnë vetë me gojën e tyre këto gjëra.

28. Shpirti i Shenjtë dhe ne kemi menduar se nuk duhet t’ju ngarkojmë barrë të tjera përveç atyre që janë të nevojshme:

29. hiqni dorë nga flijimet që u kushtohen idhujve, nga pirja e gjakut, nga ngrënia e kafshëve të mbytura e nga kurvëria. Do të bëni mirë të ruheni nga këto gjëra.Ju priftë e mbara!».

30. Atëherë ata u nisën e shkuan në Antioki, mblodhën popullin e u dorëzuan letrën.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 15