Dhjata e Re

Veprat 15:1-10 Së Bashku (ALNT)

1. Disa veta erdhën nga Judeja dhe i mësonin vëllezërit besimtarë kështu: «Nëse nuk rrethpriteni sipas zakoneve të Moisiut, nuk mund të shpëtoheni».

2. Atëherë pati një zënkë të fortë mes tyre dhe Palit e Barnabës, sepse nuk ishin në një mendje. Kështu u caktua që Pali, Barnaba dhe disa prej atyre që kishin ardhur nga Judeja, të shkonin në Jerusalem e të flisnin për këtë çështje me apostujt e me pleqtë e kishës.

3. Kisha i përcolli dhe u dha çfarë u nevojitej për udhëtim. Kur kaluan nëpër Fenikë e Samari, kudo ku shkonin, tregonin për kthimin në besim të kombeve pagane. Të gjithë vëllezërit besimtarë u gëzuan shumë.

4. Kur arritën në Jerusalem, kisha, apostujt dhe pleqtë i mirëpritën. Ata u treguan gjithçka që kishte bërë Perëndia përmes tyre.

5. Atëherë disa nga ata që i përkisnin sektit të farisenjve e që kishin besuar në Jezuin, u ngritën e thanë: «Paganët e kthyer në besim duhet të rrethpriten dhe të urdhërohen të zbatojnë ligjin e Moisiut».

6. Apostujt e pleqtë u mblodhën për ta shqyrtuar këtë çështje.

7. Pas një diskutimi të gjatë, Pjetri u ngrit e u tha:«Vëllezër, ju e dini se para disa kohësh, mes nesh, Perëndia më zgjodhi mua që nëpërmjet meje kombet pagane të dëgjojnë fjalën e ungjillit e të besojnë.

8. Perëndia që i njeh zemrat e njerëzve dëshmoi se i pranon ata duke u dhënë Shpirtin e Shenjtë, ashtu siç na e dha edhe neve.

9. Ai i pastroi zemrat e paganëve me anë të besimit dhe kështu nuk bëri asnjë dallim ndërmjet nesh dhe atyre.

10. Tani, pra, pse po e vini në provë Perëndinë duke u vënë dishepujve në qafë një zgjedhë që nuk e kanë mbartur dot as etërit tanë e as ne?

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 15