Dhjata e Re

Veprat 10:33-47 Së Bashku (ALNT)

33. Atëherë unë menjëherë dërgova njerëz te ti, e ti bëre mirë që erdhe. Tani ne jemi të gjithë këtu para Perëndisë për të dëgjuar gjithçka që të ka urdhëruar Zoti të thuash».

34. Atëherë Pjetri filloi t’u fliste:«Me të vërtetë po e kuptoj se Perëndia nuk mban anën e askujt.

35. Kushdo që e druan Perëndinë dhe bën atë që është e drejtë, nga çdo komb qoftë, gjen pëlqim te Perëndia.

36. Ju e njihni fjalën që i ka dërguar ai popullit të Izraelit, duke predikuar ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit. Ai është Zoti i të gjitha gjërave.

37. Ajo fjalë është përhapur nëpër Jude, duke filluar që nga Galileja, pas pagëzimit që predikoi Gjoni

38. dhe tregon se si Perëndia e vajosi Jezuin nga Nazareti me Shpirtin e Shenjtë e me fuqi, se si ai shkoi nga një vend në tjetrin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që ishin nën pushtetin e djallit, sepse Perëndia ishte me të.

39. Ne jemi dëshmitarë të të gjitha gjërave që bëri ai në Jude e në Jerusalem.Ata e vranë, duke e varur në drurin e kryqit,

40. por ditën e tretë Perëndia e ngjalli dhe bëri që t’i shfaqej

41. jo të gjithë popullit, por neve, që ishim të zgjedhur nga Perëndia si dëshmitarë dhe që hëngrëm e pimë me të pasi u ngjall prej të vdekurve.

42. Jezui na urdhëroi t’i predikojmë popullit e të dëshmojmë se Perëndia ka caktuar pikërisht atë si gjykatës të të gjallëve e të të vdekurve.

43. Të gjithë profetët dëshmojnë për të e thonë se kushdo që beson në të, merr faljen e mëkateve përmes emrit të tij».

44. Ndërsa Pjetri po fliste ende, Shpirti i Shenjtë zbriti mbi të gjithë ata që e dëgjonin.

45. Të krishterët e rrethprerë që kishin ardhur me Pjetrin u çuditën sesi dhurata e Shpirtit të Shenjtë iu dha edhe paganëve,

46. dhe i dëgjuan duke folur në gjuhë e duke madhëruar Perëndinë. Atëherë Pjetri tha:

47. «A mund t’ua ndalojë njeri ujin e pagëzimit këtyre njerëzve që morën Shpirtin e Shenjtë sikurse edhe ne?».

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 10