Dhjata e Re

Veprat 10:15-30 Së Bashku (ALNT)

15. Zëri i tha përsëri për të dytën herë: «Mos e quaj të papastër atë që ka pastruar Perëndia!».

16. Kjo gjë u përsërit tri herë e ajo që kishte parë Pjetri u ngrit në qiell.

17. Pjetri po përpiqej të kuptonte domethënien e vegimit që kishte parë teksa vinin njerëzit e Kornelit. Ata ishin te porta e po pyesnin për shtëpinë e Simonit.

18. Pastaj thirrën e pyetën nëse rrinte aty Simoni që quhej Pjetër.

19. Ndërkohë që Pjetri ende kishte në mendje vegimin, Shpirti i Shenjtë i tha: «Po të kërkojnë tre burra.

20. Tani ngrihu, zbrit poshtë e shko me ta pa ngurruar, se i kam dërguar unë».

21. Pjetri zbriti te këta njerëz e tha: «Unë jam ai që po kërkoni. Pse keni ardhur?».

22. Ata i thanë: «Korneli, centurioni, është njeri i drejtë dhe e druan Perëndinë. Për të flet mirë tërë kombi i judenjve. Atë e udhëzoi një engjëll i shenjtë të të thërrasë në shtëpinë e tij dhe të dëgjojë çfarë ke për t’i thënë».

23. Atëherë Pjetri i ftoi të hyjnë e të rrinin në atë shtëpi.Të nesërmen ai u ngrit e shkoi me ta. Disa prej vëllezërve besimtarë nga Jopa shkuan me të.

24. Një ditë më pas arritën në Cezare. Korneli po i priste dhe kishte thirrur të afërmit e miqtë e ngushtë.

25. Kur hyri Pjetri, Korneli i doli para dhe i ra ndër këmbë për ta adhuruar.

26. Por Pjetri e ngriti e i tha: «Ngrihu! Edhe unë njeri jam».

27. Ndërsa po fliste me Kornelin, hyri brenda dhe gjeti shumë njerëz që ishin mbledhur atje.

28. Atëherë u tha: «Ju e dini se për një jude është e palejueshme të shoqërohet me një të huaj apo të hyjë në shtëpinë e tij, por Perëndia më ka treguar se nuk duhet të quaj më askënd të papastër apo të ndyrë.

29. Prandaj erdha pa kundërshtuar kur dërguat njerëz për të më thirrur. Tani, po ju pyes, pse më thirrët?».

30. Korneli u përgjigj: «Para katër ditësh, pikërisht në këtë kohë, në orën tre, kur po lutesha në shtëpinë time, papritur qëndroi para meje një njeri i veshur me rroba të shndritshme.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 10