kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3

Dhjata e Re

Titit 2 Së Bashku (ALNT)

Mësimi i shëndoshë

1. Por ti mësoju të tjerëve ato që përkojnë me mësimin e shëndoshë.

2. Të moshuarit të jenë me mendje të kthjellët, të respektueshëm, të urtë, të fortë në besim, dashuri dhe durim.

3. Po ashtu, edhe të moshuarat të kenë një sjellje prej besimtareje, të mos jenë shpifëse e të mos bëhen skllave të verës së tepërt. Ato t’u mësojnë të rejave të mirën,

4. duke i këshilluar me urti që të duan burrat dhe fëmijët e tyre,

5. të jenë të urta, të dëlira, të zellshme në punët e shtëpisë, të mira, të nënshtruara ndaj burrave të tyre, që të mos shahet fjala e Perëndisë.

6. Po kështu këshillo të rinjtë të jenë të matur

7. për çdo gjë.Tregoje veten shembull të veprave të mira. Kur u mëson të tjerëve besimin, të jesh i sinqertë dhe me dinjitet.

8. Përdor fjalët e duhura e që nuk kanë të sharë, që kundërshtari të turpërohet e të mos ketë asgjë të keqe për të thënë kundër nesh.

9. Skllevërit t’u nënshtrohen zotërinjve të tyre në gjithçka, të përpiqen t’u pëlqejnë atyre, të mos ua kthejnë fjalën

10. dhe të mos i vjedhin, por të tregohen tërësisht të mirëbesueshëm, që mësimi i Perëndisë, Shpëtimtarit tonë të zbukurohet në çdo gjë.

11. Hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq të gjithë njerëzve.

12. Ky hir na mëson që të mohojmë jetën e mbrapshtë dhe dëshirat e liga të botës, të jetojmë me maturi, me drejtësi dhe të jemi të përkushtuar ndaj Perëndisë në këtë jetë,

13. duke pritur shpresën e lume dhe ardhjen e lavdisë së Perëndisë madhështor dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.

14. Ai e dha veten për ne, që të na shpengojë nga çdo paudhësi dhe të na bëjë një popull të pastër për veten e tij dhe të zellshëm për vepra të mira.

15. Këto gjëra thuaju të tjerëve dhe këshillo e qorto me autoritet të plotë. Mos lejo njeri të të përçmojë.