Dhjata e Re

Titit 1:1-11 Së Bashku (ALNT)

1. Unë, Pali, jam shërbëtor i Perëndisë dhe apostull i Jezu Krishtit, për t’u predikuar besimin të zgjedhurve të Perëndisë dhe për t’u bërë të njohur të vërtetën e besimit tonë,

2. që të kenë shpresën e jetës së amshuar. Perëndia që nuk gënjen, e premtoi këtë jetë që përpara fillimit të kohëve

3. dhe në kohën e duhur e bëri të njohur me fjalën e tij në predikimin që m’u besua sipas urdhërit të Perëndisë, Shpëtimtarit tonë.

4. Po të shkruaj ty, o Tit, që je për mua bir i vërtetë në besimin tonë të përbashkët:Hiri dhe paqja nga Perëndia atë dhe nga Krishti Jezu, Shpëtimtari ynë, qofshin me ty!

5. Arsyeja pse të lashë në Kretë është që të rregullosh gjërat e papërfunduara dhe të caktosh pleq nëpër kisha në çdo qytet, ashtu siç të urdhërova.

6. Plaku i kishës duhet të jetë i paqortueshëm, bashkëshort i një gruaje, t’i ketë fëmijët besimtarë, që nuk përfliten për shthurje a për mosbindje.

7. Peshkopi, si kujdestar i shtëpisë së Perëndisë, duhet të jetë i paqortueshëm, jo arrogant, as gjaknxehtë, as i dhënë pas verës, as i dhunshëm, as lakmitar përfitimesh të pandershme.

8. Por ai duhet të jetë mikpritës, dashamirës, i urtë, i drejtë, i shenjtë dhe i matur.

9. Ai duhet t’i qëndrojë besnik fjalës së besueshme të mësimit që mori, që të jetë i aftë të këshillojë të tjerët me mësimin e shëndoshë dhe të bindë ata që e kundërshtojnë.

10. Në të vërtetë ka shumë të pabindur, dërdëllitës e mashtrues, veçanërisht mes të krishterëve të rrethprerë.

11. Atyre u duhet mbyllur goja, sepse për të përfituar në mënyrë të pandershme po shkatërrojnë familje të tëra, duke u mësuar njerëzve gjëra që nuk duhen.

Lexoni kapitullin e plotë Titit 1