Dhjata e Re

Romakëve 9:1-9 Së Bashku (ALNT)

1. Po ju them të vërtetën dhe kam Krishtin si dëshmitar se nuk gënjej. Për këtë dëshmon edhe ndërgjegjja ime e udhëhequr nga Shpirti i Shenjtë,

2. se kam një pikëllim të madh dhe një dhimbje të pareshtur në zemër.

3. Do të doja më mirë të isha unë i mallkuar nga Perëndia dhe i ndarë nga Krishti për hir të vëllezërve të mi bashkëkombës.

4. Ata janë izraelitë dhe të birësuar nga Perëndia. Atyre u janë dhënë lavdia e Perëndisë, besëlidhjet, ligji i Moisiut, shërbesa e adhurimit të Perëndisë dhe premtimet e tij.

5. Ata janë pasardhësit e patriarkëve dhe prej tyre, për sa i përket natyrës së tij njerëzore, rrjedh edhe Krishti, që është mbi të gjithë, Perëndi i bekuar në amshim. Amen!

6. Fjala e Perëndisë nuk ka dështuar, sepse jo të gjithë ata që rrjedhin nga Izraeli janë izraelitë.

7. As ata që rrjedhin nga fara e Abrahamit nuk janë të gjithë bijtë e tij, por pasardhësit e tu do të rrjedhin nga fara e Isakut.

8. Kjo do të thotë se nuk janë bijtë nga gjaku ata që janë bij të Perëndisë, por janë bijtë e premtimit ata që njihen si pasardhës.

9. Sepse kjo është fjala e premtimit: Në kohën e duhur do të vij te ti dhe Sara do të bëhet me djalë.

Lexoni kapitullin e plotë Romakëve 9