Dhjata e Re

Romakëve 7:4-15 Së Bashku (ALNT)

4. Në të njëjtën mënyrë, o vëllezërit e mi, edhe ju keni vdekur për sa i përket ligjit të Moisiut, meqenëse jeni bashkuar me trupin e Krishtit. Kështu, ju i përkisni një tjetri, atij që është ngjallur prej të vdekurve, me qëllim që të japim fryte për Perëndinë.

5. Kur ne jetonim sipas natyrës sonë, dëshirat mëkatare, të nxitura përmes ligjit të Moisiut, vepronin në gjymtyrët tona dhe ne jepnim fryte që të çojnë në vdekje.

6. Por tani jemi të lirë për sa i përket ligjit të Moisiut, sepse kemi vdekur ndaj atij që na mbante lidhur. Kështu, i shërbejmë Perëndisë jo sipas mënyrës së vjetër nën germën e ligjit të Moisiut, por sipas një jete të re në Shpirtin e Shenjtë.

7. Ç’të themi, pra? A është ligji i Moisiut mëkat? Larg qoftë! Mirëpo nëse nuk do të ishte ky ligj, unë nuk do ta kisha njohur mëkatin. Unë nuk do ta kisha njohur lakminë nëse ligji i Moisiut nuk do të thoshte: Mos lakmo!

8. Por duke marrë shkas prej urdhërimit, mëkati bëri që të lindin brenda meje gjithfarë lakmish. Pa ligj, mëkati është i vdekur.

9. Dikur unë jetoja pa ligjin e Moisiut, po kur u dha urdhërimi i këtij ligji, mëkati mori jetë

10. dhe unë vdiqa. Kështu urdhërimi që duhej të më çonte në jetë më çoi drejt vdekjes.

11. Sepse mëkati, duke marrë shkas prej urdhërimit, më mashtroi dhe përmes tij më vrau.

12. Mirëpo ligji i Moisiut është i shenjtë dhe urdhërimi është i shenjtë, i drejtë dhe i mirë.

13. Mos vallë e mira u bë shkak për vdekjen time? Larg qoftë! Vdekjen ma solli mëkati duke përdorur të mirën. Kështu, mëkati e tregoi qartë natyrën e tij të vërtetë dhe përmes urdhërimit u bë mëkat edhe më i rëndë.

14. Ne e dimë se ligji i Moisiut është shpirtëror. Ndërsa unë kam natyrë njerëzore dhe jam i shitur si skllav te mëkati.

15. Nuk di çfarë bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej.

Lexoni kapitullin e plotë Romakëve 7