Dhjata e Re

Romakëve 4:15-25 Së Bashku (ALNT)

15. Sepse ligji i Moisiut sjell zemërimin e Perëndisë, por ku nuk ka ligj, nuk ka as shkelje të ligjit.

16. Prandaj, premtimi përmbushet prej besimit, që të jetë nga hiri i Perëndisë dhe të jetë i sigurt për të gjithë pasardhësit e Abrahamit, jo vetëm për ata që e zbatojnë ligjin e Moisiut, por edhe për ata që besojnë si Abrahami. Ai është ati i ne të gjithëve,

17. sikurse thotë Shkrimi i shenjtë: Të kam bërë atë të shumë kombeve. Ai është ati ynë para Perëndisë të cilit i besoi, Perëndisë që u jep jetë të vdekurve dhe që me anë të fjalës së tij krijoi gjithçka që nuk ekzistonte më parë.

18. Kundër çdo shprese, Abrahami besoi me shpresë se do të bëhej atë i shumë kombeve, sipas asaj që ishte thënë: Kështu do të jenë pasardhësit e tu.

19. Abrahamit nuk iu dobësua besimi edhe kur ishte rreth njëqind vjeç dhe kuptoi se trupi i tij dhe i Sarës ishin pothuaj të vdekur e kështu nuk mund të lindnin fëmijë.

20. Ai nuk e humbi besimin dhe nuk dyshoi në premtimin e Perëndisë, por u forcua prej besimit dhe i dha lavdi Perëndisë.

21. Ai ishte plotësisht i bindur se Perëndia ishte në gjendje të bënte gjithçka kishte premtuar.

22. Prandaj, për shkak të besimit, Perëndia e bëri të drejtë.

23. Fjalët ‘u bë i drejtë’ nuk u shkruan vetëm për të,

24. por edhe për ne. Të drejtë do të na bëjë edhe ne që i besojmë atij që e ngjalli Zotin tonë Jezu prej të vdekurve.

25. Ai iu dorëzua vdekjes për shkak të paudhësive tona dhe u ngjall që ne të bëhemi të drejtë.

Lexoni kapitullin e plotë Romakëve 4