Dhjata e Re

Romakëve 3:22-31 Së Bashku (ALNT)

22. Perëndia i bën të drejtë, përmes besimit në Jezu Krishtin, të gjithë ata që besojnë në të. Perëndia nuk bën dallim mes judenjve dhe paganëve,

23. sepse të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë lavdinë e Perëndisë.

24. Ata u bënë të drejtë falas, me hirin e tij, përmes Krishtit Jezu, që i shpengoi nga mëkati.

25. Perëndia e kushtoi Jezuin si fli pajtimi, që përmes besimit në gjakun e tij të tregojë drejtësinë e tij për faljen e mëkateve të kryera më parë.

26. Në atë kohë Perëndia ishte i duruar me mëkatin, ndërsa në kohën e tanishme ai dëfton sesi i bën të drejtë njerëzit, duke dashur të tregojë se është vetë i drejtë dhe se bën të drejtë ata që besojnë në Jezuin.

27. Ku shkoi mburrja? Ajo mori fund. Prej cilit ligj? Atij të veprave? Jo prej tij, por nëpërmjet ligjit të besimit.

28. Ne, pra, mendojmë se njeriu bëhet i drejtë prej besimit, pa veprat që urdhëron ligji i Moisiut.

29. A është vallë Perëndia, Perëndi i judenjve? A nuk është ai edhe Perëndia i kombeve të tjera? Po, ai është edhe Perëndi i kombeve të tjera,

30. sepse ka vetëm një Perëndi. Ai do të bëjë të drejtë të rrethprerët prej besimit dhe të parrethprerët nëpërmjet besimit.

31. Mos vallë nëpërmjet besimit shfuqizojmë ligjin e Moisiut? Larg qoftë! Përkundrazi, e vëmë në vendin e vet.

Lexoni kapitullin e plotë Romakëve 3