Dhjata e Re

Romakëve 15:18-27 Së Bashku (ALNT)

18. Nuk do të guxoja të flisja për asgjë tjetër përveçse për ato që bëri Krishti përmes meje, që t’i sillte në bindje ndaj Perëndisë kombet pagane. Këtë e bëra me fjalë e me vepra,

19. me fuqinë e mrekullive e të shenjave dhe me fuqinë e Shpirtit të Perëndisë. Kështu, e kam shpallur plotësisht ungjillin e Krishtit, nga Jerusalemi e përqark deri në Iliri.

20. Jam përpjekur të shpall ungjillin atje ku emri i Krishtit nuk njihej, në mënyrë që të mos ndërtoja mbi themelin e tjetërkujt,

21. sikurse thotë Shkrimi i shenjtë: Do ta shohin ata të cilëve ai nuk u ishte shpallur dhe ata që nuk kishin dëgjuar, do të kuptojnë.

22. Kjo më ka penguar shumë që të vij te ju.

23. Tani e kam mbaruar punën time në këto krahina. Ka shumë vite që dua të vij te ju

24. dhe shpresoj ta bëj këtë kur të udhëtoj për në Spanjë. Gjatë udhëtimit shpresoj t’ju shoh dhe shpresoj të më ndihmoni për të vazhduar udhëtimin pasi të jem kënaqur sadopak me ju.

25. Tani po shkoj në Jerusalem për t’u shërbyer besimtarëve të krishterë.

26. Besimtarët e Maqedonisë dhe të Akaisë dhanë me kënaqësi një dhuratë ndihme për të varfrit e besimtarëve të krishterë në Jerusalem.

27. Këtë e bënë me kënaqësi, sepse u detyrohen atyre. Nëse kombet pagane morën prej tyre bekime shpirtërore, atëherë duhet t’u shërbejnë atyre me të mirat tokësore.

Lexoni kapitullin e plotë Romakëve 15