Dhjata e Re

Romakëve 15:15-32 Së Bashku (ALNT)

15. Në disa pjesë të letrës ju shkrova më me ashpërsi për t’ju kujtuar ato që tashmë ju i njihni. E bëra këtë me hirin që më ka dhënë Perëndia

16. për të qenë shërbëtor i Krishtit Jezu për kombet pagane, për të shërbyer si prift për ungjillin e Perëndisë, në mënyrë që kombet të bëhen fli kushtimi që i pëlqen Perëndisë dhe që është e shenjtëruar prej Shpirtit të Shenjtë.

17. Prandaj, falë Krishtit Jezu, unë krenohem me gjithçka që bëj për Perëndinë.

18. Nuk do të guxoja të flisja për asgjë tjetër përveçse për ato që bëri Krishti përmes meje, që t’i sillte në bindje ndaj Perëndisë kombet pagane. Këtë e bëra me fjalë e me vepra,

19. me fuqinë e mrekullive e të shenjave dhe me fuqinë e Shpirtit të Perëndisë. Kështu, e kam shpallur plotësisht ungjillin e Krishtit, nga Jerusalemi e përqark deri në Iliri.

20. Jam përpjekur të shpall ungjillin atje ku emri i Krishtit nuk njihej, në mënyrë që të mos ndërtoja mbi themelin e tjetërkujt,

21. sikurse thotë Shkrimi i shenjtë: Do ta shohin ata të cilëve ai nuk u ishte shpallur dhe ata që nuk kishin dëgjuar, do të kuptojnë.

22. Kjo më ka penguar shumë që të vij te ju.

23. Tani e kam mbaruar punën time në këto krahina. Ka shumë vite që dua të vij te ju

24. dhe shpresoj ta bëj këtë kur të udhëtoj për në Spanjë. Gjatë udhëtimit shpresoj t’ju shoh dhe shpresoj të më ndihmoni për të vazhduar udhëtimin pasi të jem kënaqur sadopak me ju.

25. Tani po shkoj në Jerusalem për t’u shërbyer besimtarëve të krishterë.

26. Besimtarët e Maqedonisë dhe të Akaisë dhanë me kënaqësi një dhuratë ndihme për të varfrit e besimtarëve të krishterë në Jerusalem.

27. Këtë e bënë me kënaqësi, sepse u detyrohen atyre. Nëse kombet pagane morën prej tyre bekime shpirtërore, atëherë duhet t’u shërbejnë atyre me të mirat tokësore.

28. Kur ta kem mbaruar këtë punë dhe t’ua kem dorëzuar zyrtarisht këtë ndihmë do të vij te ju rrugës për në Spanjë.

29. E di se kur të vij te ju do të vij plot me bekimin e Krishtit.

30. Ju lutem, o vëllezër, për hir të Zotit tonë Jezu Krisht dhe për hir të dashurisë së Shpirtit të Shenjtë, që bashkë me mua të këmbëngulni në lutje për mua te Perëndia.

31. Lutuni që të shpëtoj nga të pafetë në Jude dhe që shërbesa ime në Jerusalem të jetë e pranueshme për besimtarët e krishterë

32. që, në dashtë Perëndia, të vij te ju me gëzim dhe të çlodhem bashkë me ju.

Lexoni kapitullin e plotë Romakëve 15