Dhjata e Re

Romakëve 14:3-16 Së Bashku (ALNT)

3. Ai që ha çdo gjë, të mos e përbuzë atë që nuk ha, dhe ai që nuk ha çdo gjë, të mos e gjykojë atë që ha, sepse Perëndia e ka pranuar edhe atë.

4. Kush je ti që të gjykosh shërbëtorin e tjetrit? Vetëm i zoti mund të gjykojë nëse shërbëtori i tij qëndron i fortë në detyrë ose jo. Por ai do të qëndrojë i fortë, sepse Zoti ka pushtetin ta bëjë këtë.

5. Dikush e vlerëson një ditë më shumë se një ditë tjetër, ndërsa dikush tjetër i vlerëson të gjitha ditët njëlloj. Secili të jetë plotësisht i bindur për atë që bën.

6. Ai që e vlerëson një ditë si të veçantë, e vlerëson për Zotin. Ai që ha nga çdo gjë, ha për Zotin, sepse falënderon Perëndinë. Po ashtu edhe ai që nuk ha çdo gjë, nuk ha për Zotin dhe falënderon Perëndinë.

7. Asnjëri nga ne nuk jeton për vete dhe nuk vdes për vete.

8. Nëse jetojmë, jetojmë për Zotin dhe nëse vdesim, vdesim për Zotin. Prandaj, edhe nëse jetojmë, edhe nëse vdesim, ne i përkasim Zotit.

9. Për këtë arsye Krishti vdiq dhe u ngjall, për të qenë Zot i të gjallëve dhe i të vdekurve.

10. Pse e gjykon vëllanë tënd? Pse e përbuz vëllanë tënd? Ne të gjithë do të qëndrojmë para gjyqit të Perëndisë.

11. Shkrimi i shenjtë thotë: Unë jetoj, thotë Zoti, çdo gju do të përkulet para meje dhe çdo gjuhë do të përlëvdojë Perëndinë.

12. Kështu pra, çdonjëri prej nesh do të përgjigjet para Perëndisë për veten e vet.

13. Prandaj të mos gjykojmë më njëri-tjetrin, por më mirë të kemi kujdes për të mos i vënë vëllait gur pengese e as lak.

14. Unë e di dhe jam i bindur prej Zotit Jezu se asgjë nuk është e papastër vetvetiu. Por nëse dikush e vlerëson diçka si të papastër, atëherë ajo është e papastër për të.

15. Nëse vëllai yt lëndohet për shkak të ushqimit tënd, atëherë ti nuk po sillesh më me dashuri ndaj tij. Për shkak të ushqimit mos e ço drejt humbjes vëllanë tënd, për të cilin vdiq Krishti.

16. Mos bëni që të shahet ajo që është e mirë për ju.

Lexoni kapitullin e plotë Romakëve 14