Dhjata e Re

Romakëve 12:4-19 Së Bashku (ALNT)

4. Sikurse një trup ka shumë gjymtyrë por jo të gjitha gjymtyrët kanë të njëjtën detyrë,

5. ashtu edhe ne, që jemi shumë, jemi një trup i vetëm të bashkuar me Krishtin, secili gjymtyrë e tjetrit.

6. Ne kemi dhunti të ndryshme sipas hirit që na është dhënë. Kush ka dhuratën e profecisë, le të profetizojë sipas masës së besimit;

7. kush ka dhuntinë e shërbimit, le të shërbejë; kush ka dhuntinë për të mësuar të tjerët, le t’i mësojë ata;

8. kush ka dhuntinë për të këshilluar të tjerët, le t’i këshillojë ata; kush ndan të mirat e tij me të tjerët, le ta bëjë me thjeshtësi; kush drejton, le ta bëjë këtë me zell; kush bën vepra bamirësie, le t’i bëjë me gëzim.

9. Dashuria duhet të jetë e sinqertë. Urreni të keqen, kapuni fort tek e mira.

10. Duajeni njëri-tjetrin si vëllezër. Nderojeni tjetrin më shumë se veten.

11. Mos t’ju mungojë zelli, por me zjarr në shpirt t’i shërbeni Zotit.

12. Ngazëlloni në shpresë, duroni në vuajtje, këmbëngulni në lutje.

13. Jepni për nevojat e besimtarëve të krishterë, jini mikpritës.

14. Bekoni ata që ju përndjekin, bekoni dhe mos mallkoni.

15. Gëzoni me ata që gëzojnë, vajtoni me ata që vajtojnë.

16. Jini në një mendje me njëri-tjetrin; mos jini mendjemëdhenj, por përfillni të përulurit. Mos e mbani veten për të mençur.

17. Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. Kujdesuni që të bëni të mirën në sytë e të gjithë njerëzve.

18. Nëse është e mundur, për aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me të gjithë njerëzit.

19. Fort të dashur! Mos kërkoni shpagim, por bëni vend për zemërimin e Perëndisë. Sepse Shkrimi i shenjtë thotë: Shpagimi më përket mua dhe unë jam ai që do të marrë shpagim, thotë Zoti.

Lexoni kapitullin e plotë Romakëve 12