Dhjata e Re

Romakëve 12:1-12 Së Bashku (ALNT)

1. Prandaj, o vëllezër, po ju bëj thirrje që për hir të dhembshurisë së Perëndisë ta paraqitni veten si fli të gjallë, të shenjtë e të pëlqyeshme për Perëndinë. Ky është adhurimi i duhur.

2. Mos u pajtoni me frymën e kësaj bote, por ndryshohuni duke përtërirë mendjen, që të dalloni se cili është vullneti i mirë, i pëlqyeshëm dhe i përsosur i Perëndisë.

3. Përmes hirit që më është dhënë, po i them çdonjërit prej jush, të mos e mbajë veten më të madh sesa duhet, por të mendojë ashtu siç duhet, secili sipas masës së besimit që i ka dhënë Perëndia.

4. Sikurse një trup ka shumë gjymtyrë por jo të gjitha gjymtyrët kanë të njëjtën detyrë,

5. ashtu edhe ne, që jemi shumë, jemi një trup i vetëm të bashkuar me Krishtin, secili gjymtyrë e tjetrit.

6. Ne kemi dhunti të ndryshme sipas hirit që na është dhënë. Kush ka dhuratën e profecisë, le të profetizojë sipas masës së besimit;

7. kush ka dhuntinë e shërbimit, le të shërbejë; kush ka dhuntinë për të mësuar të tjerët, le t’i mësojë ata;

8. kush ka dhuntinë për të këshilluar të tjerët, le t’i këshillojë ata; kush ndan të mirat e tij me të tjerët, le ta bëjë me thjeshtësi; kush drejton, le ta bëjë këtë me zell; kush bën vepra bamirësie, le t’i bëjë me gëzim.

9. Dashuria duhet të jetë e sinqertë. Urreni të keqen, kapuni fort tek e mira.

10. Duajeni njëri-tjetrin si vëllezër. Nderojeni tjetrin më shumë se veten.

11. Mos t’ju mungojë zelli, por me zjarr në shpirt t’i shërbeni Zotit.

12. Ngazëlloni në shpresë, duroni në vuajtje, këmbëngulni në lutje.

Lexoni kapitullin e plotë Romakëve 12