Dhjata e Re

Romakëve 11:6-19 Së Bashku (ALNT)

6. Perëndia i zgjodhi ata me anë të hirit të tij dhe jo me anë të veprave të tyre, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir.

7. E çfarë ndodhi? Izraeli nuk e mori atë që kërkoi, por e morën vetëm ata që zgjodhi Perëndia, ndërsa pjesa tjetër u bë e paaftë për të kuptuar,

8. sikurse thotë Shkrimi i shenjtë: Perëndia u dha atyre një shpirt plogështie, sy për të mos parë dhe veshë për të mos dëgjuar deri në ditët e sotme.

9. Dhe Davidi thotë: Tryeza e tyre u bëftë kurth e lak, pengesë për rrëzimin dhe ndëshkimin e tyre!

10. Sytë e tyre u errësofshin për të mos parë dhe kurrizi i tyre u kërrustë gjithmonë!

11. Prandaj pyes: Mos vallë izraelitët u penguan që të shkatërroheshin përfundimisht? Larg qoftë! Por përmes rënies së tyre u erdhi shpëtimi kombeve pagane për të nxitur zilinë e izraelitëve.

12. Nëse rënia e tyre u bë pasuri për botën dhe humbja e tyre u bë pasuri për kombet pagane, sa më e madhe do të jetë ajo kur gjithë Izraeli të kthehet te Perëndia!

13. Tani po ju flas juve, kombeve pagane, sepse unë jam me të vërtetë apostull i kombeve pagane. Unë po e lavdëroj shërbesën time

14. për të nxitur disi zilinë e popullit tim dhe për të shpëtuar disa prej tyre.

15. Nëse hedhja e tyre poshtë solli pajtimin e botës me Perëndinë, a nuk do të jetë pranimi i tyre nga Perëndia si kthim nga vdekja në jetë?

16. Nëse mielli është i shenjtë, edhe brumi është i shenjtë, nëse rrënjët janë të shenjta, edhe degët janë të shenjta.

17. Disa nga degët u prenë dhe në vend të tyre u shartove ti që je filiz ulliri të egër dhe kështu ushqehesh nga të mirat e rrënjës së ullirit.

18. Prandaj mos u mburr kundër degëve. Nëse mburresh, mos harro se nuk je ti që mban rrënjën, por është rrënja që të mban ty.

19. Por ti do të thuash: «Degët u prenë që të shartohesha unë».

Lexoni kapitullin e plotë Romakëve 11