Dhjata e Re

Romakëve 11:11-20 Së Bashku (ALNT)

11. Prandaj pyes: Mos vallë izraelitët u penguan që të shkatërroheshin përfundimisht? Larg qoftë! Por përmes rënies së tyre u erdhi shpëtimi kombeve pagane për të nxitur zilinë e izraelitëve.

12. Nëse rënia e tyre u bë pasuri për botën dhe humbja e tyre u bë pasuri për kombet pagane, sa më e madhe do të jetë ajo kur gjithë Izraeli të kthehet te Perëndia!

13. Tani po ju flas juve, kombeve pagane, sepse unë jam me të vërtetë apostull i kombeve pagane. Unë po e lavdëroj shërbesën time

14. për të nxitur disi zilinë e popullit tim dhe për të shpëtuar disa prej tyre.

15. Nëse hedhja e tyre poshtë solli pajtimin e botës me Perëndinë, a nuk do të jetë pranimi i tyre nga Perëndia si kthim nga vdekja në jetë?

16. Nëse mielli është i shenjtë, edhe brumi është i shenjtë, nëse rrënjët janë të shenjta, edhe degët janë të shenjta.

17. Disa nga degët u prenë dhe në vend të tyre u shartove ti që je filiz ulliri të egër dhe kështu ushqehesh nga të mirat e rrënjës së ullirit.

18. Prandaj mos u mburr kundër degëve. Nëse mburresh, mos harro se nuk je ti që mban rrënjën, por është rrënja që të mban ty.

19. Por ti do të thuash: «Degët u prenë që të shartohesha unë».

20. Mirë e the. Degët u prenë për shkak se nuk besuan, ndërsa ti qëndron sepse ke besuar. Mos u mburr, por druaju.

Lexoni kapitullin e plotë Romakëve 11