Dhjata e Re

Romakëve 11:1-14 Së Bashku (ALNT)

1. Prandaj pyes: Mos vallë Perëndia e ka hedhur poshtë popullin e vet? Larg qoftë! Unë vetë jam izraelit, nga pasardhësit e Abrahamit, prej fisit të Beniaminit.

2. Perëndia nuk e ka hedhur poshtë popullin e vet, të cilin e zgjodhi që më parë. Apo nuk e dini çfarë thotë Shkrimi i shenjtë për Elian? Ai iu drejtua Perëndisë kundër Izraelit dhe i tha:

3. «O Zot, ata vranë profetët e tu dhe rrënuan altarët e tu. Vetëm unë kam mbetur, ata kërkojnë jetën time».

4. Por si u përgjigj Perëndia? «Kam ruajtur për vete shtatë mijë burra që nuk i kanë rënë në gjunjë Baalit».

5. Kështu, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një numër izraelitësh që Perëndia i ka zgjedhur me hirin e tij.

6. Perëndia i zgjodhi ata me anë të hirit të tij dhe jo me anë të veprave të tyre, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir.

7. E çfarë ndodhi? Izraeli nuk e mori atë që kërkoi, por e morën vetëm ata që zgjodhi Perëndia, ndërsa pjesa tjetër u bë e paaftë për të kuptuar,

8. sikurse thotë Shkrimi i shenjtë: Perëndia u dha atyre një shpirt plogështie, sy për të mos parë dhe veshë për të mos dëgjuar deri në ditët e sotme.

9. Dhe Davidi thotë: Tryeza e tyre u bëftë kurth e lak, pengesë për rrëzimin dhe ndëshkimin e tyre!

10. Sytë e tyre u errësofshin për të mos parë dhe kurrizi i tyre u kërrustë gjithmonë!

11. Prandaj pyes: Mos vallë izraelitët u penguan që të shkatërroheshin përfundimisht? Larg qoftë! Por përmes rënies së tyre u erdhi shpëtimi kombeve pagane për të nxitur zilinë e izraelitëve.

12. Nëse rënia e tyre u bë pasuri për botën dhe humbja e tyre u bë pasuri për kombet pagane, sa më e madhe do të jetë ajo kur gjithë Izraeli të kthehet te Perëndia!

13. Tani po ju flas juve, kombeve pagane, sepse unë jam me të vërtetë apostull i kombeve pagane. Unë po e lavdëroj shërbesën time

14. për të nxitur disi zilinë e popullit tim dhe për të shpëtuar disa prej tyre.

Lexoni kapitullin e plotë Romakëve 11