Dhjata e Re

Romakëve 1:3-17 Së Bashku (ALNT)

3. flet për Birin e tij, Zotin tonë Jezu Krisht. Për sa i takon natyrës njerëzore, ai është pasardhës i Davidit,

4. ndërsa me fuqinë e Shpirtit që shenjtëron, ai u dëftua Bir i Perëndisë kur u ngjall prej të vdekurve.

5. Përmes tij Perëndia na ka dhënë hirin për të qenë apostuj, që të çojmë gjithë kombet drejt bindjes ndaj ungjillit dhe besimit në Krishtin, për lavdi të emrit të tij.

6. Ndër këto kombe bëni pjesë edhe ju, sepse u thirrët nga Jezu Krishti.

7. Po ju shkruaj të gjithëve ju në Romë, që Perëndia ju do e ju ka thirrur për të qenë të shenjtë:Paçi hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht!

8. Së pari, e falënderoj Perëndinë tim përmes Jezu Krishtit për ju të gjithë, sepse besimi juaj po bëhet i njohur në tërë botën.

9. Perëndia, të cilit i shërbej me gjithë shpirt në predikimin e ungjillit të Birit të tij, është dëshmitari im se ju kujtoj pa pushim

10. në lutjet e mia, gjithmonë. I kërkoj Perëndisë, që, nëse është vullneti i tij, të mund të vij te ju më në fund.

11. Kam shumë dëshirë t’ju shoh për t’ju dhënë ndonjë dhunti shpirtërore që të forcoheni

12. dhe kështu të ngushëllohemi së bashku përmes besimit të njëri-tjetrit, besimit tuaj dhe besimit tim.

13. Dua ta dini, o vëllezër, se shumë herë kam pasur ndërmend të vij te ju, që vepra ime të kishte fryt edhe te ju si te kombet e tjera, por kam qenë i penguar deri tani.

14. Unë e kam për detyrë t’u predikoj ungjillin si grekëve të qytetëruar, ashtu edhe barbarëve të paqytetëruar, si të diturve, ashtu edhe të paditurve.

15. Prandaj, për sa më takon mua, jam i gatshëm t’jua shpall ungjillin edhe juve që jeni në Romë.

16. Unë nuk kam turp për ungjillin, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e të gjithëve atyre që besojnë, për judeun së pari, si dhe për paganin.

17. Në ungjill zbulohet se Perëndia i bën njerëzit të drejtë përmes besimit të plotë, sikurse thotë Shkrimi i shenjtë: I drejti do të jetojë prej besimit.

Lexoni kapitullin e plotë Romakëve 1