Dhjata e Re

Romakëve 1:20-32 Së Bashku (ALNT)

20. Që nga krijimi i botës cilësitë e padukshme të Perëndisë, fuqia e tij e përjetshme dhe natyra e tij hyjnore kuptohen dhe duken qartë prej gjërave që ka bërë. Prandaj ata nuk mund të kenë asnjë shfajësim.

21. Sepse, ndonëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan dhe nuk e falënderuan si Perëndi, por u marrosën në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre e pandjeshme u errësua.

22. Duke e mbajtur veten për të ditur, u bënë të marrë

23. dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pavdekshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me njeriun e vdekshëm, me shpendët, me katërkëmbëshat dhe me rrëshqanorët.

24. Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në epshet e ndyra të zemrave të tyre, që të çnderojnë trupat e njëri-tjetrit.

25. Ata e shndërruan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër, adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë. Amen!

26. Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në epshe të turpshme. Gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet e natyrshme në marrëdhënie kundër natyrës.

27. Po ashtu edhe burrat, duke lënë marrëdhëniet e natyrshme me gratë, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin. Burra kryen vepra të pahijshme me burra, duke marrë mbi vete shpagimin e duhur për fajin e tyre.

28. Meqenëse ata nuk pranuan ta njihnin Perëndinë, ai i dorëzoi në një mendje të çoroditur për të bërë gjëra që nuk duhen bërë.

29. Ata janë plot me padrejtësi, keqdashje, lakmi, ligësi, plot smirë, vrasje, grindje, dredhi dhe poshtërsi. Ata janë përgojues,

30. shpifës, armiq të Perëndisë, të pacipë, fodullë, mburravecë, trillues ligësish, të pabindur ndaj prindërve,

31. të pamend, të pabesë, pa dashuri dhe të pamëshirshëm.

32. Ata e njohin urdhërimin e Perëndisë, që thotë se kush bën gjëra të tilla, meriton të vdesë. Megjithatë, ata jo vetëm i bëjnë këto, por edhe miratojnë të tjerët që i bëjnë.

Lexoni kapitullin e plotë Romakëve 1