Dhjata e Re

Romakëve 1:10-23 Së Bashku (ALNT)

10. në lutjet e mia, gjithmonë. I kërkoj Perëndisë, që, nëse është vullneti i tij, të mund të vij te ju më në fund.

11. Kam shumë dëshirë t’ju shoh për t’ju dhënë ndonjë dhunti shpirtërore që të forcoheni

12. dhe kështu të ngushëllohemi së bashku përmes besimit të njëri-tjetrit, besimit tuaj dhe besimit tim.

13. Dua ta dini, o vëllezër, se shumë herë kam pasur ndërmend të vij te ju, që vepra ime të kishte fryt edhe te ju si te kombet e tjera, por kam qenë i penguar deri tani.

14. Unë e kam për detyrë t’u predikoj ungjillin si grekëve të qytetëruar, ashtu edhe barbarëve të paqytetëruar, si të diturve, ashtu edhe të paditurve.

15. Prandaj, për sa më takon mua, jam i gatshëm t’jua shpall ungjillin edhe juve që jeni në Romë.

16. Unë nuk kam turp për ungjillin, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e të gjithëve atyre që besojnë, për judeun së pari, si dhe për paganin.

17. Në ungjill zbulohet se Perëndia i bën njerëzit të drejtë përmes besimit të plotë, sikurse thotë Shkrimi i shenjtë: I drejti do të jetojë prej besimit.

18. Zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli kundër çdo mosbesimi e padrejtësie të njerëzve, që me padrejtësi i zënë frymën së vërtetës.

19. Perëndia është i zemëruar me ta për shkak se gjithçka që mund të njihet për të është e dukshme, sepse vetë Perëndia ua ka bërë të dukshme atyre.

20. Që nga krijimi i botës cilësitë e padukshme të Perëndisë, fuqia e tij e përjetshme dhe natyra e tij hyjnore kuptohen dhe duken qartë prej gjërave që ka bërë. Prandaj ata nuk mund të kenë asnjë shfajësim.

21. Sepse, ndonëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan dhe nuk e falënderuan si Perëndi, por u marrosën në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre e pandjeshme u errësua.

22. Duke e mbajtur veten për të ditur, u bënë të marrë

23. dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pavdekshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me njeriun e vdekshëm, me shpendët, me katërkëmbëshat dhe me rrëshqanorët.

Lexoni kapitullin e plotë Romakëve 1