Dhjata e Re

Mateu 8:25-34 Së Bashku (ALNT)

25. Ata iu afruan, e zgjuan dhe i thanë: «O Zot, na shpëto se po mbytemi!»

26. Ai u tha: «Përse keni frikë, o besimpakë?». Atëherë u ngrit e qortoi erërat dhe liqenin. Pastaj u bë bunacë e madhe.

27. Njerëzit, të mahnitur, i thanë njëri-tjetrit: «Kush është ky që i binden edhe erërat, edhe liqeni?».

28. Kur arriti në bregun tjetër, në vendin e gadarenëve, i dolën përpara dy të pushtuar nga djalli, që erdhën nga varrezat. Ata ishin aq të egër, saqë askush nuk guxonte të kalonte asaj rruge.

29. Dhe ja, ata filluan të bërtisnin e të thoshin: «Çfarë ke me ne, o Biri i Perëndisë? Ke ardhur të na mundosh para kohe?».

30. Jo larg tyre kulloste një tufë e madhe derrash

31. dhe djajtë iu lutën Jezuit: «Nëse na dëbon, na dërgo te kjo tufë derrash».

32. Ai u tha: «Shkoni!». Atëherë, pasi dolën, ata shkuan te derrat dhe e tërë tufa u hodh nga humnera në liqen e u mbyt në ujë.

33. Ata që ruanin derrat ua mbathën këmbëve e shkuan në qytet që të tregonin për të pushtuarit nga djalli dhe për gjithçka ndodhi.

34. Dhe ja, i gjithë qyteti i doli para Jezuit dhe kur e panë, iu lutën që të largohej nga krahina e tyre.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 8