Dhjata e Re

Mateu 4:13-25 Së Bashku (ALNT)

13. Nuk qëndroi në Nazaret, por shkoi për të jetuar në Kafarnaum, qytet pranë liqenit, në tokën e Zabulonit e të Neftalimit,

14. që të përmbushej çfarë kishte thënë profeti Isaia:

15. Tokë e Zabulonit dhe tokë e Neftalimit, në rrugën drejt detit, përtej Jordanit, Galile e paganëve!

16. Populli që ishte në errësirë pa një dritë të madhe dhe për ata që ishin në vendin e hijes së vdekjes zbardhi drita.

17. Që atëherë Jezui filloi të predikonte e të thoshte: «Pendohuni, se mbretëria e qiejve është afër».

18. Ndërsa po ecte bregut të Liqenit të Galilesë, Jezui pa dy vëllezër, Simonin që quhej Pjetër dhe Andrean, vëllain e tij, që po hidhnin rrjetat në liqen. Ata ishin peshkatarë.

19. Jezui u tha: «Ejani pas meje dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish».

20. Ata lanë menjëherë rrjetat dhe shkuan pas tij.

21. Pak më tutje Jezui pa dy vëllezër të tjerë, Jakobin, birin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllain e tij, që ishin në një varkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke qepur rrjetat dhe i thirri.

22. Ata lanë menjëherë varkën dhe atin e tyre dhe shkuan pas tij.

23. Jezui shkonte nëpër Galile duke mësuar njerëzit në sinagoga, duke shpallur ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje e lëngatë në popull.

24. Kështu për të u hap fjala në gjithë Sirinë. Atëherë i sollën gjithë të sëmurët, njerëz të prekur nga sëmundje dhe dhimbje të ndryshme, të pushtuar nga djalli, epileptikë dhe të paralizuar, dhe ai i shëroi.

25. Turma të mëdha njerëzish nga Galileja e Dekapoja, nga Jerusalemi, Judeja e përtej Jordanit shkonin pas tij.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 4