29. Ai iu përgjigj: “Nuk dua.” Por më vonë u pendua dhe shkoi.
30. Shkoi te djali tjetër dhe i tha të njëjtën gjë. Ai iu përgjigj: “Po, imzot”, por nuk shkoi.
31. Cili nga të dy bëri vullnetin e të atit?».Ata iu përgjigjën: «I pari».Jezui u tha:«Me të vërtetë po ju them: tagrambledhësit dhe laviret do të shkojnë përpara jush në mbretërinë e Perëndisë.
32. Gjoni erdhi te ju në udhën e drejtësisë dhe ju nuk i besuat, por tagrambledhësit dhe laviret i besuan. Ndërsa ju, edhe pasi e patë këtë gjë, nuk ndërruat mendje dhe nuk besuat.»
33. «Dëgjoni një shëmbëlltyrë tjetër: I zoti i një shtëpie mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, hapi një gropë për të shtrydhur rrushin dhe ngriti një kullë. Vreshtin ua dha me qira disa vreshtarëve dhe u largua në një vend të huaj.
34. Kur afroi koha e të vjelave, dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët që të merrnin pjesën e tij të prodhimit.
35. Por vreshtarët i kapën shërbëtorët dhe njërin e rrahën, tjetrin e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë.
36. U dërgoi edhe shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, por vreshtarët bënë të njëjtën gjë me ta.
37. Pastaj dërgoi të birin duke thënë: “Për tim bir do të kenë respekt.”
38. Po kur panë të birin, vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ejani ta vrasim e t’i marrim trashëgiminë.”
39. Atëherë e kapën, e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë.
40. Kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?».
41. Ata i thanë: «Do t’i vrasë pa mëshirë vreshtarët e këqij dhe vreshtin do t’ua japë vreshtarëve të tjerë, që do t’i japin të vjelat në kohën e duhur».
42. Jezui u tha: «A nuk i keni lexuar kurrë Shkrimet e shenjta që thonë: guri që ndërtuesit e hodhën tej, u bë guri i qoshes. Kjo është vepra e Zotit dhe është e mrekullueshme në sytë tanë»?
43. Prandaj po ju them: «Mbretëria e Perëndisë do t’ju hiqet juve dhe do t’i jepet një kombi që do të japë fryte në të.