Dhjata e Re

Mateu 21:22-34 Së Bashku (ALNT)

22. Çfarëdo që të kërkoni me besim përmes lutjes, do ta merrni».

23. Jezui kishte hyrë në tempull dhe po mësonte njerëzit kur kryepriftërinjtë e pleqtë shkuan tek ai dhe e pyetën: «Me ç’autoritet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë autoritet?».

24. Jezui u tha: «Edhe unë kam një pyetje për ju. Nëse më përgjigjeni, atëherë edhe unë do t’ju tregoj me ç’autoritet i bëj këto gjëra.

25. Prej nga vinte pagëzimi i Gjonit? Prej qiellit apo prej njerëzve?».Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”.

26. Po të themi “prej njerëzve”, kemi frikë nga turma, se të gjithë e mbajnë Gjonin për profet».

27. Prandaj i thanë Jezuit: «Nuk e dimë».Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç’autoritet i bëj këto gjëra.»

28. «Më thoni, si e mendoni këtë gjë: Një njeri kishte dy djem. Shkoi tek i pari e i tha: “Bir, shko e puno në vresht sot.”

29. Ai iu përgjigj: “Nuk dua.” Por më vonë u pendua dhe shkoi.

30. Shkoi te djali tjetër dhe i tha të njëjtën gjë. Ai iu përgjigj: “Po, imzot”, por nuk shkoi.

31. Cili nga të dy bëri vullnetin e të atit?».Ata iu përgjigjën: «I pari».Jezui u tha:«Me të vërtetë po ju them: tagrambledhësit dhe laviret do të shkojnë përpara jush në mbretërinë e Perëndisë.

32. Gjoni erdhi te ju në udhën e drejtësisë dhe ju nuk i besuat, por tagrambledhësit dhe laviret i besuan. Ndërsa ju, edhe pasi e patë këtë gjë, nuk ndërruat mendje dhe nuk besuat.»

33. «Dëgjoni një shëmbëlltyrë tjetër: I zoti i një shtëpie mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, hapi një gropë për të shtrydhur rrushin dhe ngriti një kullë. Vreshtin ua dha me qira disa vreshtarëve dhe u largua në një vend të huaj.

34. Kur afroi koha e të vjelave, dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët që të merrnin pjesën e tij të prodhimit.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 21