Dhjata e Re

Mateu 12:29-42 Së Bashku (ALNT)

29. Si mund të hyjë dikush në shtëpinë e një njeriu të fortë e ta plaçkitë, pa e lidhur më parë të fortin? Vetëm atëherë mund t’ia plaçkitë shtëpinë.

30. Kush nuk është me mua, është kundër meje. Kush nuk mbledh me mua, shpërndan.

31. Prandaj po ju them se njerëzve do t’u falet çdo mëkat e fyerje ndaj Perëndisë, por nuk do t’u falet fyerja ndaj Shpirtit të Shenjtë.

32. Kushdo që thotë një fjalë kundër Birit të njeriut, do të falet, por ai që flet kundër Shpirtit të Shenjtë, nuk do të falet as në këtë jetë e as në jetën që vjen.»

33. «Po të jetë pema e mirë, do të merrni fryte të mira. Po të jetë pema e kalbur, do të merrni fryte të këqija, sepse pema njihet nga frytet që jep.

34. Pjellë nepërkash! E si mund të flisni mirë nëse jeni të këqij? Ç’ka zemra, nxjerr goja.

35. Njeriu i mirë nxjerr të mira nga thesari i tij i mirë dhe njeriu i keq nxjerr të këqija nga thesari i tij i keq.

36. Unë po ju them se në ditën e gjykimit njerëzit do të përgjigjen për çdo fjalë të kotë që do të thonë,

37. sepse nga fjalët tuaja do të bëheni të drejtë dhe nga fjalët tuaja do të dënoheni».

38. Pastaj disa skribë dhe farisenj i thanë: «Mësues, duam të shohim një mrekulli prej teje».

39. Por ai u përgjigj:«Kjo brezni e ligë dhe e pafe kërkon mrekulli, por asaj nuk do t’i jepet asnjë mrekulli, përveç mrekullisë së profetit Jona.

40. Ashtu si Jonai ndenji tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu do të rrijë edhe Biri i njeriut tri ditë e tri net në zemër të tokës.

41. Banorët e Ninivës do të ngjallen ditën e gjykimit bashkë me këtë brezni e do ta dënojnë atë, sepse ata u penduan pas predikimit të Jonait. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jonai.

42. Mbretëresha e Jugut do të ngjallet ditën e gjykimit bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojë atë, sepse ajo erdhi nga fundi i dheut për të dëgjuar urtinë e Solomonit. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni.»

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 12