Dhjata e Re

Mateu 12:24-33 Së Bashku (ALNT)

24. Po kur e dëgjuan këtë gjë, farisenjtë thanë: «Ky i dëbon djajtë vetëm me fuqinë e Beelzebulit, kryetarit të djajve».

25. Jezui, që i njihte mendimet e tyre, u tha:«Çdo mbretëri e përçarë shkretohet dhe asnjë qytet a shtëpi që është e përçarë nuk mund të qëndrojë në këmbë.

26. Nëse Satani dëbon Satanin, do të thotë se është i përçarë. E si mund të qëndrojë, atëherë, mbretëria e tij?

27. Nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Beelzebulit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj këta do të jenë gjykatësit tuaj.

28. Por, nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Shpirtit të Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur te ju.

29. Si mund të hyjë dikush në shtëpinë e një njeriu të fortë e ta plaçkitë, pa e lidhur më parë të fortin? Vetëm atëherë mund t’ia plaçkitë shtëpinë.

30. Kush nuk është me mua, është kundër meje. Kush nuk mbledh me mua, shpërndan.

31. Prandaj po ju them se njerëzve do t’u falet çdo mëkat e fyerje ndaj Perëndisë, por nuk do t’u falet fyerja ndaj Shpirtit të Shenjtë.

32. Kushdo që thotë një fjalë kundër Birit të njeriut, do të falet, por ai që flet kundër Shpirtit të Shenjtë, nuk do të falet as në këtë jetë e as në jetën që vjen.»

33. «Po të jetë pema e mirë, do të merrni fryte të mira. Po të jetë pema e kalbur, do të merrni fryte të këqija, sepse pema njihet nga frytet që jep.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 12