Dhjata e Re

Mateu 12:16-34 Së Bashku (ALNT)

16. dhe i urdhëroi rreptësisht që të mos u tregonin të tjerëve për të.

17. Kjo ndodhi që të përmbushej çfarë ishte thënë përmes profetit Isaia:

18. Ja shërbëtori që unë kam zgjedhur, i dashuri im, me të cilin shpirti im është i kënaqur. Tek ai do të vë Shpirtin tim dhe ai do t’u shpallë drejtësinë paganëve.

19. Nuk do të ankohet, as do të bërtasë. Askush nuk do ta dëgjojë në rrugë zërin e tij.

20. Nuk do ta thyejë kallamin e shkelur dhe as do ta shuajë flakëzën që nxjerr tym, derisa të ngadhënjejë e drejta.

21. E në emrin e tij do të shpresojnë paganët.

22. Pastaj i sollën një shurdhmemec të verbër, që ishte i pushtuar nga djalli. Jezui e shëroi dhe ai filloi të fliste e të shikonte.

23. Të gjithë njerëzit u mahnitën e thanë: «A mos është ky Biri i Davidit?».

24. Po kur e dëgjuan këtë gjë, farisenjtë thanë: «Ky i dëbon djajtë vetëm me fuqinë e Beelzebulit, kryetarit të djajve».

25. Jezui, që i njihte mendimet e tyre, u tha:«Çdo mbretëri e përçarë shkretohet dhe asnjë qytet a shtëpi që është e përçarë nuk mund të qëndrojë në këmbë.

26. Nëse Satani dëbon Satanin, do të thotë se është i përçarë. E si mund të qëndrojë, atëherë, mbretëria e tij?

27. Nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Beelzebulit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj këta do të jenë gjykatësit tuaj.

28. Por, nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Shpirtit të Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur te ju.

29. Si mund të hyjë dikush në shtëpinë e një njeriu të fortë e ta plaçkitë, pa e lidhur më parë të fortin? Vetëm atëherë mund t’ia plaçkitë shtëpinë.

30. Kush nuk është me mua, është kundër meje. Kush nuk mbledh me mua, shpërndan.

31. Prandaj po ju them se njerëzve do t’u falet çdo mëkat e fyerje ndaj Perëndisë, por nuk do t’u falet fyerja ndaj Shpirtit të Shenjtë.

32. Kushdo që thotë një fjalë kundër Birit të njeriut, do të falet, por ai që flet kundër Shpirtit të Shenjtë, nuk do të falet as në këtë jetë e as në jetën që vjen.»

33. «Po të jetë pema e mirë, do të merrni fryte të mira. Po të jetë pema e kalbur, do të merrni fryte të këqija, sepse pema njihet nga frytet që jep.

34. Pjellë nepërkash! E si mund të flisni mirë nëse jeni të këqij? Ç’ka zemra, nxjerr goja.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 12