Dhjata e Re

Mateu 11:1-12 Së Bashku (ALNT)

1. Si u mësoi këto gjëra dymbëdhjetë dishepujve, Jezui u largua që andej dhe shkoi për të mësuar njerëzit e për të predikuar në qytetet përreth.

2. Gjoni ishte në burg dhe, kur dëgjoi për veprat e Krishtit, i çoi fjalë përmes dishepujve të vet

3. për t’i thënë: «A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?».

4. Jezui u përgjigj kështu: «Shkoni e i tregoni Gjonit për atë që po dëgjoni e po shihni.

5. Të verbërit po shohin përsëri dhe të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen dhe të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen dhe të varfërve po u shpallet ungjilli.

6. Lum ai që nuk humbet besimin në mua».

7. Kur u larguan ata, Jezui filloi t’u fliste turmave për Gjonin e tha:«Çfarë shkuat të shihnit në shkretëtirë? Një kallam që e lëkund era?

8. Çfarë shkuat të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ata që vishen me rroba të buta gjenden në pallatet mbretërore.

9. Çfarë shkuat të shihnit, atëherë? Një profet? Po, po ju them, madje më shumë se një profet.

10. Gjoni është ai për të cilin Shkrimi i shenjtë thotë: Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para teje, që të përgatisë udhën tënde.

11. Me të vërtetë po ju them se asnjë grua nuk ka lindur njeri më të madh se Gjon Pagëzori. Por, më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai.

12. Që nga dita e Gjon Pagëzorit e deri tani mbretëria e qiejve fitohet me përpjekje të mëdha dhe atë e fitojnë ata që përpiqen.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 11