Dhjata e Re

Mateu 10:2-22 Së Bashku (ALNT)

2. Këta janë emrat e dymbëdhjetë apostujve: i pari Simoni, që quhet Pjetër, dhe Andrea, vëllai i tij; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, vëllai i tij;

3. Filipi dhe Bartolomeu; Thomai dhe Mate tagrambledhësi; Jakobi, biri i Alfeut, dhe Tadeu;

4. Simon kananeasi dhe Judë Iskarioti, ai që e tradhtoi.

5. Jezui i dërgoi këta dymbëdhjetë dishepuj e i porositi kështu:«Mos shkoni udhëve të paganëve dhe mos hyni në asnjë qytet samaritanësh,

6. por shkoni te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.

7. Ndërsa shkoni, predikoni e thoni: “Mbretëria e qiejve është afër”.

8. Shëroni të sëmurët, ngjallni të vdekurit, pastroni të lebrosurit, dëboni djajtë. Falas morët, falas jepni.

9. Mos merrni me vete as ar, as argjend, as bakër,

10. as torbë për udhëtim, as dy tunika, as sandale, as shkop, sepse punëtori ka të drejtë të ushqehet.

11. Në çfarëdo qyteti a fshati që të hyni, kërkoni atë që është i gatshëm t’ju presë në shtëpinë e tij dhe rrini atje derisa të niseni.

12. Kur të hyni në një shtëpi, përshëndetini.

13. Nëse ajo shtëpi ju pret mirë, le të vijë mbi të paqja juaj, por nëse nuk ju pret mirë, le të kthehet paqja juaj te ju.

14. Dhe nëse ndokush nuk do t’ju pranojë, apo nuk do të dëgjojë fjalët tuaja kur të dilni nga ajo shtëpi apo nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja.

15. Me të vërtetë po ju them se në ditën e gjykimit më lehtë do ta ketë Sodoma e Gomorra sesa ai qytet.»

16. «Ja, po ju dërgoj si delet mes ujqërve, prandaj jini të zgjuar si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat.

17. Ruhuni nga njerëzit, se do t’ju dorëzojnë nëpër sinedra dhe do t’ju fshikullojnë në sinagogat e tyre.

18. Do t’ju tërheqin zvarrë para qeveritarëve e mbretërve për shkakun tim, që të jepni dëshmi para tyre e para paganëve.

19. Kur t’ju dorëzojnë, mos u shqetësoni sesi do të flisni apo se çfarë do të thoni, sepse ajo që do të thoni do t’ju jepet në atë çast.

20. Nuk jeni ju ata që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj që do të flasë përmes jush.

21. Vëllai do ta dorëzojë vëllanë që ta dënojnë me vdekje e babai të birin. Bijtë do të ngrihen kundër prindërve dhe do t’i çojnë drejt vdekjes.

22. Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim, por ai që do të qëndrojë deri në fund do të shpëtohet.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 10