Dhjata e Re

Mateu 10:2-11 Së Bashku (ALNT)

2. Këta janë emrat e dymbëdhjetë apostujve: i pari Simoni, që quhet Pjetër, dhe Andrea, vëllai i tij; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, vëllai i tij;

3. Filipi dhe Bartolomeu; Thomai dhe Mate tagrambledhësi; Jakobi, biri i Alfeut, dhe Tadeu;

4. Simon kananeasi dhe Judë Iskarioti, ai që e tradhtoi.

5. Jezui i dërgoi këta dymbëdhjetë dishepuj e i porositi kështu:«Mos shkoni udhëve të paganëve dhe mos hyni në asnjë qytet samaritanësh,

6. por shkoni te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.

7. Ndërsa shkoni, predikoni e thoni: “Mbretëria e qiejve është afër”.

8. Shëroni të sëmurët, ngjallni të vdekurit, pastroni të lebrosurit, dëboni djajtë. Falas morët, falas jepni.

9. Mos merrni me vete as ar, as argjend, as bakër,

10. as torbë për udhëtim, as dy tunika, as sandale, as shkop, sepse punëtori ka të drejtë të ushqehet.

11. Në çfarëdo qyteti a fshati që të hyni, kërkoni atë që është i gatshëm t’ju presë në shtëpinë e tij dhe rrini atje derisa të niseni.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 10