Dhjata e Re

Mateu 10:17-27 Së Bashku (ALNT)

17. Ruhuni nga njerëzit, se do t’ju dorëzojnë nëpër sinedra dhe do t’ju fshikullojnë në sinagogat e tyre.

18. Do t’ju tërheqin zvarrë para qeveritarëve e mbretërve për shkakun tim, që të jepni dëshmi para tyre e para paganëve.

19. Kur t’ju dorëzojnë, mos u shqetësoni sesi do të flisni apo se çfarë do të thoni, sepse ajo që do të thoni do t’ju jepet në atë çast.

20. Nuk jeni ju ata që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj që do të flasë përmes jush.

21. Vëllai do ta dorëzojë vëllanë që ta dënojnë me vdekje e babai të birin. Bijtë do të ngrihen kundër prindërve dhe do t’i çojnë drejt vdekjes.

22. Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim, por ai që do të qëndrojë deri në fund do të shpëtohet.

23. Kur t’ju përndjekin në një qytet, shkoni në një tjetër. Me të vërtetë po ju them se nuk do t’i keni përshkuar të gjitha qytetet e Izraelit, para se të vijë Biri i njeriut.

24. Dishepulli nuk është më i madh se mësuesi dhe shërbëtori nuk është më i madh se i zoti.

25. Dishepullit i mjafton të jetë si mësuesi i tij dhe shërbëtorit të jetë si i zoti. Nëse e quajtën Beelzebul të zotin e shtëpisë, aq më shumë do t’i quajnë ashtu ata të shtëpisë së tij.»

26. «Prandaj mos kini frikë prej tyre, sepse nuk ka asgjë të mbuluar që s’do të zbulohet, apo të fshehtë që s’do të merret vesh.

27. Çfarë po ju them në errësirë, thojeni në dritë dhe çfarë ju pëshpëritet në vesh, shpalleni nga çatitë.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 10