Dhjata e Re

Marku 5:3-15 Së Bashku (ALNT)

3. Ai banonte në varreza dhe askush nuk mund ta lidhte më as me zinxhirë,

4. sepse disa herë e kishin lidhur me pranga e zinxhirë, por ai i kishte këputur zinxhirët dhe i kishte thyer prangat dhe askush nuk mund ta zbuste dot.

5. Natë e ditë rrinte nëpër varre e nëpër male, duke bërtitur dhe duke e goditur veten me gurë.

6. Kur e pa Jezuin nga larg, ai vrapoi, ra në gjunjë para tij

7. dhe thirri me zë të lartë: «Çfarë ke me mua, o Jezu, Biri i Perëndisë më të lartë? Të përbej për Perëndinë, mos më mundo!».

8. Jezui i tha: «Shpirt i ndyrë, dil nga ky njeri!».

9. Dhe e pyeti: «Si e ke emrin?». Ai iu përgjigj: «Emri im është Legjion, sepse jemi shumë».

10. Dhe djalli i lutej shumë Jezuit që të mos e dëbonte jashtë atij vendi.

11. Aty pranë malit gjendej një tufë e madhe derrash që po kullosnin.

12. Shpirtrat e ndyrë iu lutën Jezuit e i thanë: «Na dërgo të hyjmë te derrat!».

13. Dhe ai i lejoi. Atëherë shpirtrat e ndyrë, me të dalë prej tij, u futën te derrat dhe tufa, që gati arrinte numrin dy mijë, u hodh nga humnera në liqen e u mbyt.

14. Ata që ruanin derrat ua mbathën këmbëve dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra dhe njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur.

15. Ata erdhën pranë Jezuit dhe kur panë të pushtuarin nga djalli, atë që kishte pasur Legjionin, që rrinte ulur dhe ishte i veshur e me mendje në rregull, i zuri frika.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 5