Dhjata e Re

Marku 5:16-31 Së Bashku (ALNT)

16. Ata që e kishin parë ngjarjen treguan se çfarë kishte ndodhur me të pushtuarin nga djalli dhe me derrat.

17. Atëherë ata iu lutën Jezuit që të largohej nga krahina e tyre.

18. Ndërsa Jezui po hipte në varkë, njeriu që kishte qenë i pushtuar nga djalli i lutej që të rrinte me të.

19. Jezui nuk e lejoi, por i tha: «Shko në shtëpi te njerëzit e tu dhe tregoju çfarë ka bërë Zoti dhe sesi tregoi mëshirë për ty».

20. Atëherë ai u largua dhe nëpër mbarë Dekapojën shpallte atë që kishte bërë Jezui për të dhe të gjithë mahniteshin.

21. Jezui kaloi përsëri me varkë në bregun tjetër dhe një turmë e madhe u mblodh rreth tij. Kur ishte në breg të liqenit,

22. erdhi njëri prej kryetarëve të sinagogës me emrin Jair dhe sapo e pa Jezuin, i ra ndër këmbë

23. e iu lut shumë duke i thënë: «Vajza ime e vogël është në çastet e fundit, prandaj eja, vëri duart mbi të, që të shpëtojë dhe të jetojë!».

24. Jezui shkoi me të dhe një turmë e madhe, që shtyhej nga të gjitha anët, i shkoi pas.

25. Një grua kishte dymbëdhjetë vjet që vuante nga hemorragjia.

26. Ajo kishte hequr shumë nga mjekë të ndryshëm dhe kishte shpenzuar gjithçka që kishte pa kurrfarë dobie dhe sa vinte e përkeqësohej.

27. Me të dëgjuar për Jezuin, ajo hyri mes turmës dhe i preku nga pas mantelin.

28. Ajo thoshte me vete: «Sikur t’ia prek vetëm rrobat, do të shpëtoj».

29. Rrjedhja e gjakut iu ndërpre në çast dhe ajo ndjeu në trupin e saj se u shërua nga sëmundja.

30. Jezui e ndjeu menjëherë forcën që doli prej tij dhe si iu drejtua turmës, tha: «Kush m’i preku rrobat?».

31. Dishepujt i thanë: «Ti e sheh turmën që të shtyn nga të gjitha anët dhe thua kush më preku?».

Lexoni kapitullin e plotë Marku 5