Dhjata e Re

Marku 2:4-22 Së Bashku (ALNT)

4. Meqë nuk mund t’i afroheshin për shkak të turmës, hapën çatinë sipër tij dhe ulën poshtë vigun ku gjendej i paralizuari.

5. Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «Biri im, të janë falur mëkatet».

6. Disa skribë që rrinin aty filluan të mendonin në zemrat e tyre:

7. «Përse flet kështu ky njeri? Ai po fyen Perëndinë. E kush tjetër, përveç Perëndisë, mund t’i falë mëkatet?».

8. Jezui e kuptoi menjëherë në shpirtin e tij se ata po mendonin kështu, prandaj u tha: «Përse mendoni kështu në zemrat tuaja?

9. Çfarë është më e lehtë, t’i thuhet të paralizuarit “të janë falur mëkatet”, apo t’i thuhet “ngrihu, merre vigun tënd dhe ec”?

10. Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë,» - i tha të paralizuarit -

11. «po të them, ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi».

12. Ai u ngrit, mori menjëherë vigun e doli para të gjithëve. Të gjithë u mahnitën dhe përlëvduan Perëndinë e thanë: «Nuk kemi parë asnjëherë diçka të tillë».

13. Jezui doli përsëri në breg të liqenit. Gjithë turma u mblodh rreth tij e ai i mësonte.

14. Teksa po ecte më tej, pa Levin, birin e Alfeut, që rrinte ulur në bankën e tagrave dhe i tha: «Më ndiq!». Ai u ngrit dhe i shkoi pas.

15. Ndërsa ishte ulur për të ngrënë, në shtëpinë e Levit, shumë tagrambledhës e mëkatarë u ulën me Jezuin dhe me dishepujt e tij. Ata që e ndiqnin ishin shumë.

16. Kur panë se po hante me mëkatarët e tagrambledhësit, skribët e farisenjve u thanë dishepujve: «Përse ha ai me tagrambledhësit e mëkatarët?».

17. Kur e dëgjoi këtë, Jezui tha: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët».

18. Dishepujt e Gjonit dhe farisenjtë po agjëronin. Disa prej tyre shkuan e i thanë Jezuit: «Përse dishepujt e Gjonit dhe të farisenjve agjërojnë, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?».

19. Jezui u tha:«A mund të agjërojnë dasmorët kur dhëndri është me ta? Jo, nuk mund të agjërojnë për sa kohë kanë dhëndrin.

20. Por do të vijë dita kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin dhe atëherë, në atë ditë, do të agjërojnë.

21. Askush nuk qep një arnë prej një cope të re në një rrobë të vjetër, sepse arna prej copës së re e gris rrobën e vjetër dhe grisja bëhet më e madhe.

22. Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se vera i çan kacekët dhe kështu humbasin edhe vera, edhe kacekët. Prandaj vera e re hidhet në kacekë të rinj».

Lexoni kapitullin e plotë Marku 2