Dhjata e Re

Marku 2:19-28 Së Bashku (ALNT)

19. Jezui u tha:«A mund të agjërojnë dasmorët kur dhëndri është me ta? Jo, nuk mund të agjërojnë për sa kohë kanë dhëndrin.

20. Por do të vijë dita kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin dhe atëherë, në atë ditë, do të agjërojnë.

21. Askush nuk qep një arnë prej një cope të re në një rrobë të vjetër, sepse arna prej copës së re e gris rrobën e vjetër dhe grisja bëhet më e madhe.

22. Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se vera i çan kacekët dhe kështu humbasin edhe vera, edhe kacekët. Prandaj vera e re hidhet në kacekë të rinj».

23. Një të shtunë po ecnin përmes një fushe me grurë. Tek po kalonin andej, dishepujt e tij filluan të këpusnin kallinj gruri

24. dhe farisenjtë i thanë: «Ja, përse po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën?».

25. Por Jezui u tha: «A e keni lexuar ndonjëherë se çfarë bëri Davidi kur u gjet ngushtë dhe e kishte marrë uria, atë dhe ata që ishin me të?

26. Se si hyri në shtëpinë e Perëndisë, kur ishte kryeprift Abiatari dhe hëngri bukët e kushtimit, që nuk lejohet t’i hajë askush, përveç priftërinjve dhe se si ua dha edhe atyre që ishin me të?».

27. Pastaj u tha: «E shtuna është bërë për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën.

28. Kështu Biri i njeriut është Zot edhe i së shtunës».

Lexoni kapitullin e plotë Marku 2