Dhjata e Re

Marku 13:7-24 Së Bashku (ALNT)

7. Kur të dëgjoni për luftëra e lajme luftërash, mos u tronditni. Këto duhet të ndodhin, por ky nuk do të jetë ende fundi.

8. Një komb do të ngrihet kundër një kombi tjetër dhe një mbretëri kundër një mbretërie tjetër. Në disa vende do të ketë tërmete e zi buke. Ky do të jetë fillimi i dhimbjeve të lindjes.

9. Por kini kujdes për veten, se do t’ju dorëzojnë nëpër sinedra dhe do t’ju rrahin nëpër sinagoga. Për shkakun tim do t’ju nxjerrin që të dëshmoni para princërve e mbretërve.

10. Por më parë ungjilli duhet t’u predikohet të gjitha kombeve.

11. Kur t’ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se çfarë do të thoni, por thoni çfarë t’ju jepet në atë çast, sepse nuk do të jeni ju ata që flisni, por Shpirti i Shenjtë.

12. Vëllai do ta dorëzojë vëllanë, që ta dënojnë me vdekje e babai të birin. Bijtë do të ngrihen kundër prindërve dhe do t’i çojnë drejt vdekjes.

13. Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim, por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtohet.»

14. «Po kur të shihni tmerrin e shkretimit, që qëndron atje ku nuk i takon - kush lexon le ta kuptojë - atëherë ata që janë në Jude le të arratisen maleve.

15. Ai që do të ndodhet mbi çati, të mos zbresë e të mos hyjë brenda për të marrë gjë nga shtëpia e tij!

16. Ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë mantelin!

17. Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë!

18. Lutuni që kjo të mos ndodhë në dimër,

19. sepse në ato ditë do të bjerë një mjerim i paparë ndonjëherë deri më sot, që kur Perëndia krijoi gjithçka, dhe të tillë mjerim nuk do të ketë më kurrë.

20. Po të mos i kishte shkurtuar Zoti ato ditë, nuk do të shpëtonte asnjeri, po për hir të atyre që ka zgjedhur, ai i shkurtoi ato ditë.

21. Nëse dikush ju thotë “ja ku është Krishti!”, ose “ja, është këtu!”, mos i besoni.

22. Do të dalin krishtë të rremë e profetë të rremë, që do të bëjnë mrekulli e shenja, që mundësisht të mashtrojnë edhe të zgjedhurit.

23. Por kini kujdes! Unë ju paralajmërova për të gjitha.»

24. «Në ato ditë, pas pikëllimit,dielli do të errësohetdhe hëna nuk do të ndriçojë.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 13