Dhjata e Re

Marku 12:6-19 Së Bashku (ALNT)

6. I kishte mbetur vetëm një, biri i tij i dashur. Në fund e dërgoi tek ata duke thënë: “Për tim bir do të kenë respekt.”

7. Por vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ejani ta vrasim dhe trashëgimia do të na mbetet neve.”

8. Atëherë e kapën, e vranë dhe e hodhën jashtë vreshtit.

9. Ç’do të bëjë i zoti i vreshtit? Do të vijë, do t’i vrasë vreshtarët dhe do t’ua japë vreshtin të tjerëve.

10. A nuk i keni lexuar këto fjalë të Shkrimit të shenjtë: Guri që ndërtuesit e hodhën tej, u bë guri i qoshes.

11. Kjo është vepra e Zotit dhe është e mrekullueshme në sytë tanë».

12. Atëherë ata kërkonin ta kapnin, sepse e kuptuan se shëmbëlltyrën e kishte thënë kundër tyre, por kishin frikë nga turma, prandaj e lanë dhe ikën.

13. Pastaj dërguan te Jezui disa nga farisenjtë dhe disa nga herodianët për ta zënë në kurth për ndonjë fjalë.

14. Kur erdhën, i thanë: «Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe, pa pyetur për njeri e pa u ndikuar nga askush, u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë. A është e lejueshme t’i paguhen taksat Cezarit, apo jo? Duhet t’ia paguajmë apo nuk duhet?».

15. Por Jezui, duke e njohur hipokrizinë e tyre, u tha: «Përse më vini në provë? Më sillni një monedhë që ta shoh!».

16. Ata ia sollën. Atëherë ai u tha: «E kujt është kjo figurë e ky mbishkrim?».Ata i thanë: «Të Cezarit».

17. Jezui u tha: «Jepini Cezarit ç’është e Cezarit dhe Perëndisë ç’është e Perëndisë». Dhe ata u mrekulluan me të.

18. Atëherë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, prandaj e pyetën:

19. «Mësues, Moisiu na ka lënë të shkruar: Nëse një njeriu i vdes vëllai dhe lë pas gruan, por nuk lë fëmijë, ky duhet të martohet me gruan e ve për t’i dhënë trashëgimtarë të vëllait.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 12