Dhjata e Re

Marku 12:29-42 Së Bashku (ALNT)

29. Jezui u përgjigj: «Urdhërimi më i rëndësishëm është: Dëgjo Izrael! Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot

30. dhe ti duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.

31. Ndërsa urdhërimi i dytë është: Duaje tjetrin si veten! Nuk ka urdhërime më të mëdha se këto».

32. Skribi i tha: «Mirë, mësues, ti ke të drejtë kur thua se ai është një dhe se nuk ka të tjerë përveç tij.

33. Ta duash me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë forcë dhe të duash tjetrin si veten vlen më shumë se të gjitha shkrumbimet e kafshëve dhe flijimet».

34. Kur pa se iu përgjigj me mend, Jezui i tha: «Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë». Dhe askush nuk kishte guxim ta pyeste më.

35. Ndërsa po mësonte njerëzit në tempull, Jezui i pyeti: «E si mund të thonë skribët se Krishti është Biri i Davidit?

36. Vetë Davidi ka thënë me anë të Shpirtit të Shenjtë: I tha Zoti Zotit tim: ulu në të djathtën time, derisa t’i vë armiqtë e tu nën këmbët e tua.

37. Kur vetë Davidi e thërret Zot, si mund të jetë ai biri i tij?».Dhe turma e madhe e dëgjonte me ëndje.

38. Dhe ndërsa i mësonte, u thoshte:«Ruhuni nga skribët që kënaqen kur mbajnë rroba të gjata, me qëllim që të tjerët t’i përshëndesin shesheve publike,

39. që zënë vendet e para nëpër sinagoga dhe kryet e vendit nëpër festa,

40. që përlajnë pasuritë e vejushave dhe luten gjatë për të rënë në sy. Këta do të marrin ndëshkim më të rëndë».

41. Si u ul përballë arkës së thesarit, Jezui shikonte turmën që hidhte monedha të vogla në thesar. Shumë të pasur hidhnin shumë para.

42. Aty erdhi një vejushë e varfër dhe hodhi dy monedha bakri, domethënë një kuadrant.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 12