Dhjata e Re

Marku 12:1-12 Së Bashku (ALNT)

1. Pastaj Jezui filloi t’u fliste me shëmbëlltyra:«Një njeri mbolli një vresht, e thuri me gardh, hapi një gropë për të shtrydhur rrushin dhe ngriti një kullë. Vreshtin ua dha me qira disa vreshtarëve dhe u largua në një vend të huaj.

2. Kur erdhi koha e të vjelave, dërgoi një shërbëtor te vreshtarët, që të merrte pjesën e vet nga prodhimi i vreshtit.

3. Vreshtarët e kapën, e rrahën dhe e kthyen duarzbrazët.

4. Atëherë ai dërgoi edhe një shërbëtor tjetër, por ata e goditën në kokë dhe e poshtëruan.

5. Dërgoi edhe një tjetër, por edhe këtë e vranë. Dërgoi edhe shumë të tjerë, por disa i rrahën e disa i vranë.

6. I kishte mbetur vetëm një, biri i tij i dashur. Në fund e dërgoi tek ata duke thënë: “Për tim bir do të kenë respekt.”

7. Por vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ejani ta vrasim dhe trashëgimia do të na mbetet neve.”

8. Atëherë e kapën, e vranë dhe e hodhën jashtë vreshtit.

9. Ç’do të bëjë i zoti i vreshtit? Do të vijë, do t’i vrasë vreshtarët dhe do t’ua japë vreshtin të tjerëve.

10. A nuk i keni lexuar këto fjalë të Shkrimit të shenjtë: Guri që ndërtuesit e hodhën tej, u bë guri i qoshes.

11. Kjo është vepra e Zotit dhe është e mrekullueshme në sytë tanë».

12. Atëherë ata kërkonin ta kapnin, sepse e kuptuan se shëmbëlltyrën e kishte thënë kundër tyre, por kishin frikë nga turma, prandaj e lanë dhe ikën.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 12