Dhjata e Re

Marku 11:13-21 Së Bashku (ALNT)

13. Nga larg pa një fik që kishte gjethe dhe shkoi të shihte nëse do të gjente ndonjë fryt. Kur iu afrua, nuk gjeti asgjë përveç gjetheve, se nuk ishte koha e fiqve.

14. Atëherë i tha fikut: «Mos ngrëntë njeri kurrë fryt prej teje!». Dhe dishepujt e dëgjuan.

15. Kur arritën në Jerusalem, Jezui hyri në tempull dhe nisi të dëbonte ata që shisnin e blinin aty. Pastaj përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe tryezat e tregtarëve të pëllumbave

16. dhe s’lejonte njeri të mbartte sende nëpër tempull.

17. Jezui i mësonte dhe u thoshte: «A nuk thotë Shkrimi i shenjtë: Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje për të gjitha kombet?Por ju e keni bërë shpellë kusarësh».

18. Kryepriftërinjtë dhe skribët dëgjuan për këtë dhe kërkonin sesi ta vrisnin. Në të vërtetë e kishin frikë, sepse tërë turma mahnitej me mësimin e tij.

19. Kur ra muzgu, ata dolën nga qyteti.

20. Në mëngjes, ndërsa po kalonin andej, panë fikun të tharë që në rrënjë.

21. Pjetri u kujtua dhe i tha Jezuit: «Mësues, shiko! Fiku që mallkove është tharë».

Lexoni kapitullin e plotë Marku 11