Dhjata e Re

Marku 10:44-52 Së Bashku (ALNT)

44. dhe nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet shërbëtor i të gjithëve,

45. sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por erdhi për të shërbyer e për të dhënë jetën e vet si shpengim për shumë njerëz».

46. Kështu arritën në Jeriko. Ndërsa po nisej që andej bashkë me dishepujt dhe me një turmë të madhe, një lypës i verbër, Bartimeu, biri i Timeut, rrinte ulur në anë të rrugës.

47. Kur dëgjoi se po kalonte Jezui i Nazaretit, ai nisi të bërtiste: «Jezu, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!».

48. Shumë veta e qortonin që të heshtte, por ai thërriste edhe më fort: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!».

49. Jezui ndaloi dhe tha: «Thirreni!».Ata e thirrën të verbrin e i thanë: «Merr zemër! Ngrihu! Ai po të thërret».

50. Ai hodhi tej mantelin, brofi në këmbë e shkoi te Jezui.

51. Jezui i tha: «Çfarë dëshiron të bëj për ty?».I verbri iu përgjigj: «Mësues, dua që të shoh përsëri».

52. Atëherë Jezui i tha: «Shko! Besimi yt të shpëtoi».Atij iu kthye menjëherë shikimi dhe shkoi pas Jezuit.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 10