Dhjata e Re

Marku 10:4-24 Së Bashku (ALNT)

4. Ata i thanë: «Moisiu ka lejuar t’i shkruhet gruas letra e ndarjes dhe të lihet».

5. Jezui u tha: «Ai jua ka shkruar këtë urdhërim për shkak të ngurtësisë së zemrës suaj,

6. por që nga fillimi i krijimit Perëndia bëri mashkullin e femrën.

7. Për këtë arsye burri do ta lërë babanë e nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e vet

8. e të dy do të bëhen një trup i vetëm. Kështu, ata nuk do të jenë më dy, por një trup i vetëm.

9. Prandaj atë që ka bashkuar Perëndia, njeriu të mos e ndajë!».

10. Kur u kthyen në shtëpinë ku po rrinin, dishepujt e pyetën përsëri për këtë gjë.

11. Ai u tha: «Kushdo që e ndan gruan e vet dhe martohet me një tjetër, bën tradhti bashkëshortore ndaj saj,

12. dhe kushdo që e ndan burrin e vet dhe martohet me një tjetër, bën tradhti bashkëshortore».

13. Atëherë i sollën disa fëmijë, që të vinte duart mbi ta, por dishepujt i qortuan.

14. Kur i pa, Jezui u zemërua dhe u tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si ata.

15. Me të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë në të».

16. Pastaj i mori në krahë dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta.

17. Ndërsa po nisej për rrugë, dikush erdhi me vrap, i ra në gjunjë dhe e pyeti: «Mësues i mirë, ç’duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?».

18. Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë.

19. Ti i njeh urdhërimet: Mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, mos mashtro, ndero babanë e nënën!».

20. Ai i tha: «Mësues, të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime».

21. Jezui e vështroi, ndjeu dashuri për të e i tha: «Të mungon një gjë: shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!».

22. Por ai u trishtua nga këto fjalë e u largua i mërzitur, se kishte shumë pasuri.

23. Jezui vështroi rreth e rrotull e u tha dishepujve: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!».

24. Dishepujt u shtangën nga fjalët e tij, por Jezui u tha përsëri: «Bijtë e mi, sa e vështirë është të hysh në mbretërinë e Perëndisë.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 10