Dhjata e Re

Marku 10:39-52 Së Bashku (ALNT)

39. Ata iu përgjigjën: «Mundemi».Jezui u tha: «Kupën që do të pi unë do ta pini edhe ju dhe do të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin do të pagëzohem edhe unë,

40. por që të uleni në të djathtën a në të majtën time, nuk më takon mua ta vendos, sepse vendet u takojnë atyre për të cilët janë përgatitur».

41. Kur e dëgjuan këtë gjë, dhjetë të tjerët u zemëruan me Jakobin dhe me Gjonin.

42. Por Jezui i thirri pranë vetes dhe u tha:«Ju e dini se ata që e mbajnë veten si krerë të kombeve sundojnë mbi to dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë pushtet mbi to.

43. Me ju nuk duhet të ndodhë kështu, por nëse dikush nga ju dëshiron të bëhet i madh, le të jetë shërbëtori juaj,

44. dhe nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet shërbëtor i të gjithëve,

45. sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por erdhi për të shërbyer e për të dhënë jetën e vet si shpengim për shumë njerëz».

46. Kështu arritën në Jeriko. Ndërsa po nisej që andej bashkë me dishepujt dhe me një turmë të madhe, një lypës i verbër, Bartimeu, biri i Timeut, rrinte ulur në anë të rrugës.

47. Kur dëgjoi se po kalonte Jezui i Nazaretit, ai nisi të bërtiste: «Jezu, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!».

48. Shumë veta e qortonin që të heshtte, por ai thërriste edhe më fort: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!».

49. Jezui ndaloi dhe tha: «Thirreni!».Ata e thirrën të verbrin e i thanë: «Merr zemër! Ngrihu! Ai po të thërret».

50. Ai hodhi tej mantelin, brofi në këmbë e shkoi te Jezui.

51. Jezui i tha: «Çfarë dëshiron të bëj për ty?».I verbri iu përgjigj: «Mësues, dua që të shoh përsëri».

52. Atëherë Jezui i tha: «Shko! Besimi yt të shpëtoi».Atij iu kthye menjëherë shikimi dhe shkoi pas Jezuit.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 10