Dhjata e Re

Marku 10:18-35 Së Bashku (ALNT)

18. Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë.

19. Ti i njeh urdhërimet: Mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, mos mashtro, ndero babanë e nënën!».

20. Ai i tha: «Mësues, të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime».

21. Jezui e vështroi, ndjeu dashuri për të e i tha: «Të mungon një gjë: shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!».

22. Por ai u trishtua nga këto fjalë e u largua i mërzitur, se kishte shumë pasuri.

23. Jezui vështroi rreth e rrotull e u tha dishepujve: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!».

24. Dishepujt u shtangën nga fjalët e tij, por Jezui u tha përsëri: «Bijtë e mi, sa e vështirë është të hysh në mbretërinë e Perëndisë.

25. Është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë».

26. Ata u habitën tej mase e i thanë njëri-tjetrit: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?».

27. Jezui i vështroi e tha: «Kjo është e pamundur për njerëzit, por jo për Perëndinë, sepse për Perëndinë gjithçka është e mundur».

28. Atëherë Pjetri mori fjalën e tha: «Ja, ne lamë gjithçka dhe erdhëm pas teje».

29. Jezui tha:«Me të vërtetë po ju them se askush nga ata që lanë shtëpi, vëllezër a motra, nënë a babë, fëmijë ose ara për shkakun tim dhe për shkak të ungjillit

30. nuk do të mbetet pa marrë, tani, në këtë kohë, së bashku me përndjekjet, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nënë, fëmijë e ara, dhe jetën e amshuar në botën e ardhshme.

31. Por shumë nga ata që janë të parët do të jenë të fundit dhe të fundit do të jenë të parët».

32. Rrugës për në Jerusalem Jezui u printe dishepujve. Dishepujt ishin të tmerruar, ndërsa të tjerët që i ndiqnin kishin frikë. Si i mori përsëri mënjanë të dymbëdhjetët, Jezui filloi t’u tregonte çfarë do t’i ndodhte:

33. «Ja, ne po shkojmë në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve dhe skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje dhe do t’ua dorëzojnë paganëve.

34. Këta do ta tallin e do ta pështyjnë, do ta fshikullojnë e do ta vrasin, por pas tri ditësh ai do të ngjallet».

35. Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, iu afruan dhe i thanë: «Mësues, duam të bësh për ne gjithçka që të kërkojmë».

Lexoni kapitullin e plotë Marku 10