Dhjata e Re

Marku 10:15-26 Së Bashku (ALNT)

15. Me të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë në të».

16. Pastaj i mori në krahë dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta.

17. Ndërsa po nisej për rrugë, dikush erdhi me vrap, i ra në gjunjë dhe e pyeti: «Mësues i mirë, ç’duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?».

18. Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë.

19. Ti i njeh urdhërimet: Mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, mos mashtro, ndero babanë e nënën!».

20. Ai i tha: «Mësues, të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime».

21. Jezui e vështroi, ndjeu dashuri për të e i tha: «Të mungon një gjë: shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!».

22. Por ai u trishtua nga këto fjalë e u largua i mërzitur, se kishte shumë pasuri.

23. Jezui vështroi rreth e rrotull e u tha dishepujve: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!».

24. Dishepujt u shtangën nga fjalët e tij, por Jezui u tha përsëri: «Bijtë e mi, sa e vështirë është të hysh në mbretërinë e Perëndisë.

25. Është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë».

26. Ata u habitën tej mase e i thanë njëri-tjetrit: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?».

Lexoni kapitullin e plotë Marku 10