Dhjata e Re

Luka 9:45-57 Së Bashku (ALNT)

45. Por ata nuk i kuptuan këto fjalë. Kuptimi i tyre u mbeti i fshehur, kështu që nuk e morën vesh dhe kishin frikë ta pyesnin.

46. Mes dishepujve lindi pyetja se kush prej tyre ishte më i madhi.

47. Por Jezui, që i njihte mendimet e zemrës së tyre, mori një fëmijë dhe e mbajti pranë.

48. Atëherë u tha dishepujve: «Kush e pranon këtë fëmijë në emrin tim, më pranon mua dhe kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar. Më i vogli ndër të gjithë ju, ai është më i madhi».

49. Atëherë Gjoni i tha: «Mësues, pamë një njeri që dëbonte djajtë në emrin tënd dhe ia ndaluam, sepse nuk të ndjek pas bashkë me ne».

50. Por Jezui i tha: «Mos ia ndaloni, sepse kush nuk është kundër jush, është me ju».

51. Kur po afroheshin ditët e ngritjes së tij në qiell, Jezui mori vendim të prerë për të shkuar në Jerusalem

52. dhe dërgoi përpara lajmëtarët. Gjatë rrugës u ndalën në një fshat samaritanësh për të bërë përgatitjet për Jezuin,

53. por ata nuk e pranuan, sepse po shkonte drejt Jerusalemit.

54. Kur dishepujt e tij, Jakobi dhe Gjoni, e panë këtë gjë, i thanë: «Zot, a do që të urdhërojmë të zbresë zjarri nga qielli e t’i përpijë?».

55. Por Jezui u kthye e i qortoi.

56. Pastaj shkuan në një fshat tjetër.

57. Ndërsa po ecnin rrugës, dikush i tha: «Do të të ndjek kudo që të shkosh».

Lexoni kapitullin e plotë Luka 9