Dhjata e Re

Luka 9:35-45 Së Bashku (ALNT)

35. Pastaj nga reja u dëgjua një zë që tha: «Ky është Biri im i zgjedhur. Dëgjojeni!».

36. Si u dëgjua zëri, Jezui mbeti vetëm. Ata heshtën e në ato ditë nuk i treguan askujt për gjërat që kishin parë.

37. Të nesërmen, pasi kishin zbritur nga mali, Jezuin e takoi një turmë e madhe.

38. Atëherë një burrë nga turma thirri: «Mësues, të lutem shikoje tim bir, se e kam djalë të vetëm!

39. Atë e pushton një shpirt që e bën të bërtasë, e shkund me dhunë, derisa nxjerr shkumë nga goja. E mundon dhe largohet me vështirësi prej tij.

40. Iu luta dishepujve të tu që ta dëbonin, por nuk mundën».

41. Jezui u përgjigj: «O brezni e pafe dhe e mbrapshtë! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t’ju duroj?Sille këtu tët bir!».

42. Kur po e sillnin, djalli e përplasi përtokë djaloshin dhe e përpëliti. Por Jezui e qortoi shpirtin e ndyrë, e shëroi djaloshin dhe ia ktheu të atit.

43. Të gjithë u mrekulluan nga madhështia e Perëndisë.Ndërsa të gjithë mrekulloheshin me gjithçka që kishte bërë, Jezui u tha dishepujve:

44. «Vëruni veshin mirë fjalëve që po ju them: Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve».

45. Por ata nuk i kuptuan këto fjalë. Kuptimi i tyre u mbeti i fshehur, kështu që nuk e morën vesh dhe kishin frikë ta pyesnin.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 9