Dhjata e Re

Luka 9:29-48 Së Bashku (ALNT)

29. Ndërsa po lutej, pamja e fytyrës së tij ndryshoi e rrobat morën një bardhësi vezulluese.

30. Pastaj panë dy burra që po flisnin me Jezuin. Ishin Moisiu dhe Elia,

31. që u shfaqën në lavdi e po flisnin për veprën që do të përmbushte Jezui me vdekjen e tij në Jerusalem.

32. Pjetri dhe ata që e shoqëronin kishin rënë në gjumë të thellë, por u zgjuan dhe panë lavdinë e tij dhe të dy burrave që ishin me të.

33. Kur po ndaheshin, Pjetri i tha Jezuit: «Mësues, sa mirë që jemi këtu! Le të ngremë tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elian». Pjetri nuk dinte çfarë po thoshte.

34. Ndërsa po fliste, erdhi një re e i mbështolli. Kur hynë në re, dishepujt i zuri frika.

35. Pastaj nga reja u dëgjua një zë që tha: «Ky është Biri im i zgjedhur. Dëgjojeni!».

36. Si u dëgjua zëri, Jezui mbeti vetëm. Ata heshtën e në ato ditë nuk i treguan askujt për gjërat që kishin parë.

37. Të nesërmen, pasi kishin zbritur nga mali, Jezuin e takoi një turmë e madhe.

38. Atëherë një burrë nga turma thirri: «Mësues, të lutem shikoje tim bir, se e kam djalë të vetëm!

39. Atë e pushton një shpirt që e bën të bërtasë, e shkund me dhunë, derisa nxjerr shkumë nga goja. E mundon dhe largohet me vështirësi prej tij.

40. Iu luta dishepujve të tu që ta dëbonin, por nuk mundën».

41. Jezui u përgjigj: «O brezni e pafe dhe e mbrapshtë! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t’ju duroj?Sille këtu tët bir!».

42. Kur po e sillnin, djalli e përplasi përtokë djaloshin dhe e përpëliti. Por Jezui e qortoi shpirtin e ndyrë, e shëroi djaloshin dhe ia ktheu të atit.

43. Të gjithë u mrekulluan nga madhështia e Perëndisë.Ndërsa të gjithë mrekulloheshin me gjithçka që kishte bërë, Jezui u tha dishepujve:

44. «Vëruni veshin mirë fjalëve që po ju them: Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve».

45. Por ata nuk i kuptuan këto fjalë. Kuptimi i tyre u mbeti i fshehur, kështu që nuk e morën vesh dhe kishin frikë ta pyesnin.

46. Mes dishepujve lindi pyetja se kush prej tyre ishte më i madhi.

47. Por Jezui, që i njihte mendimet e zemrës së tyre, mori një fëmijë dhe e mbajti pranë.

48. Atëherë u tha dishepujve: «Kush e pranon këtë fëmijë në emrin tim, më pranon mua dhe kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar. Më i vogli ndër të gjithë ju, ai është më i madhi».

Lexoni kapitullin e plotë Luka 9